Haradinaj-Stublla takohet në Berlin me këshilltarin e kancelares Merkel, diskutojnë vizat dhe dialogun

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj Stublla, është pritur në një takim zyrtar nga z. Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe znj. Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Në takimin e mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Berlin, ministrja Haradinaj Stublla ka marrë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën, në kohën kur Gjermania kryeson presidencën e Këshillit Evropian.

 “Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi.” është shprehur shefja e diplomacisë kosovare. Ministrja Haradinaj Stublla ka theksuar  se në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, ku ka potencuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se Kosova beson në rolin vendimtar të Gjermanisë, dhe se rrëshqitja e dialogut në tema teknike është kundërproduktive.

 “Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”, është shprehur kryediplomatja Haradinaj Stublla.