Haradinaj: Nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit e lëre më nga fletarrestet e tij

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili u arrestua para dy dite në Francë në bazë të një urdhër arresti të Serbisë të vitit 2004, i është drejtuar qytetarët të Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai shkruan se është për keqardhje që disa shtete ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviqit.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Të dashur qytetarë të Kosovës,

Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ e tyre.

Ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit e lere më nga fletarrestet e tij.

Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, „Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush“.

Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush!

Do të takohemi shpejt në Kosovë!

Juaji Ramush Haradinaj”.