Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të udhëhequr nga udhëheqja e ekipit për Kosovë, Sarah Olmstead dhe koordinatori nacional, Petrit Selimi.
Pas takimit, është mbajtur një konferencë e përbashkët për media.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë nënshkrimin e marrëveshjes, që do të ndikoj në kursimin e energjisë, në efiçiencën e energjisë, si dhe në përmirësimin e jetës së të rinjve në Kosovë.
“Është një lajm i mirë për Kosovën nënshkrimi i një marrëveshje për grant për Kosovën, Fondi i Sfidave të Mileniumit. Biseduam për efektet e kësaj marrëveshje që do t’i ketë në Kosovë, veçanërisht për të gjitha ato efekte që do t’i ketë në kursimin e energjisë, në sferën e efiçiencës në energji, por edhe në drejtime të tjera të jetës sonë. Jam i bindur, se me lajme të tilla, do të konfirmojmë që të rinjtë tonë mund ta bëjnë jetën në Kosovë dhe jo të kërkojnë shpresë në vende të tjera”, tha kryeministri Haradinaj.
Udhëheqësja e ekipit të Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë, Sarah Olmstead, është shprehur e lumtur që ky fond i ndarë për Kosovën do të ndihmoj në krijimin e një të ardhme më të mirë dhe rikthimin e besimit në Qeveri.
“Dua të shpreh në emër të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Qeverisë së Amerikës, sesa të entuziazmuar jemi që punojmë me Kosovën. Ky është programi ynë i parë në këtë rajon pas shumë kohësh, dhe mezi po presim të fillojmë punën dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë të cilën kryeministri Haradinaj e përmendi, dhe shpresojmë të ndërtojmë besimin në Qeveri dhe të ndihmojmë në krijimin e një bote më të mirë”, tha Olmstead.
Koordinatori nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, tha se fondi do të filloj të themelohet në fund të këtij viti, pra të krijohet një fondacion i cili do të derdh mjete të shumta në fushën e energjisë efiçiente dhe në sundimin e ligjit. “Nuk do të presim shumë vite apo muaj për të themeluar fondin. Zyra e Kryeministrit do të jetë në pozitën udhëheqëse të krijimit të fondit, ndërsa ekipi amerikan një pjesë e të cilëve kanë ardhur, do të jenë këtu për të na ndihmuar”, tha Selimi, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe institucionet tjera për ndihmën e dhënë në 18 muajt e fundit në hartimin e projekteve.
Selimi tha po ashtu se për tri vjetët e ardhshme do të investojmë një shumë prej 49 milionë dollarë, që është granti më i madh amerikan që nga paslufta, në fusha shumë të rëndësishme për ekonominë kosovare.