Shteti serb sot formalisht dorëzoi të ashtuquajturat prova kundër ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinajt. Gjykata e Colmarit në Francë verdiktin final lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt pritet ta marr më 9 shkurt.
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, në një interviste për RTK-në u shpreh i bindur se menjëherë pas verdiktit përfundimtar ai do t`i kthehet Kosovës.
Pretendimet e Serbisë i quajti politike e cirk ligjor të cilat nuk janë marrë parasysh as në gjykimet e mëhershme. Ky abuzim me ligjin ndërkombëtar, sipas Haradinajt, është lojë politike e Serbisë e cila edhe kësaj here do të dështojë.
“Jemi të fuqishëm sepse jemi në të drejtën tonë”, tha Haradinaj.
“Sot formalisht kemi pranuar lëndën nga Serbia, pra akuzën dhe kërkesën për ekstradim. Kemi rikonfirmu edhe qëndrimin tonë që kjo lëndë nuk qëndron, se është politike dhe që i tërë procesi është i pakuptimtë, ky cirk ligjor i bazuar në një lëndë që është politike, e cila ka ekzistu në procedurat e mëhershme të gjykimit e rigjykimit tim. Si e tillë ajo nuk është përfillë as atëherë, pra e cila nuk ka bazë e as materie për shqyrtim ligjor”, tha Haradinaj.
Haradinaj thotë se kërkesa e Serbisë për ekstradim nuk e shqetëson fare.
“Serbia nuk më shqetëson, nuk më ka shqetësuar asnjëherë dhe nuk ka me pas mundësi me më shqetësu kurrë. Është abuzim me ligjin ndërkombëtar nga ata. Kjo është një situatë, një ta quaj ashtu cirk ligjor e që do ta merr epilogun. Epilogu dihet cili është. Pra një lojë e tyre politike nuk do të përfillet”, tha ai.
Thotë se ka qenë ndjenjë vërtetë e mirë kur e ka parë tërë atë përkrahje dhe mobilizim të shqiptarëve kudo që janë, për lirimin e tij. “Kjo ka qenë jo vetëm lehtësim por përkrahje e madhe. Po ashtu ka qenë edhe një porosi për të gjithë edhe për politikat e lojërat e Serbisë. Tani ata janë në zgjedhje dhe e kanë kthyer kujtesën në kohën e shefave të vet, Ivica Daçiq e ka kthy kujtesën në kohën e shefit të tij Millosheviq, kurse Vuçiq e Nikoliq në kohën kur i kanë pri formacioneve paramilitare në kohën e Sheshelit. Por edhe shqiptarët iu dhanë një përgjigje se këtu jemi. Pra ishte një përgjigje vërtetë domethënëse, të cilën e kanë dëgju të gjithë besoj edhe në Kosovë edhe jashtë edhe çdokund”.
Ai ka thënë se nuk ka vërejtje sa i përket angazhimit të shtetit të Kosovës në aspektin procedural në çështjen e tij, por thotë se fakti që ka qëndruar kaq gjatë në ndalim tregon kapacitetin e Kosovës.
“Nuk mundem me dhënë vërejtje në kuptimin procedural, por po shihet fuqia e Kosovës sa është. Mbajtja aq gjatë e një shtetasi të Kosovës përmes një lënde kaq politike vetëvetiu tregon kapacitetin e Prishtinës zyrtare, pra kush është Prishtina zyrtare”, ka thënëai.
Haradinaj është i bindur se në seancën gjyqësore të 9 shkurtit gjykata do të vendos në favor të tij.
“Me 9 shkurt është seanca. Mundet vendimi mu marrë po atë ditë, mundet mu shty vendimi për ndonjë ditë të radhës por ballafaqimi përfundimtar është me 9 shkurt. Unë do të kthehem me siguri me 9 ose në dy-tre ditë pas. Nuk kam me u ndalë asnjëhere, nuk kam me u fsheh. Kanë me u mësu të gjithë me jetu me shqiptarët, me ekzistencën tonë në Ballkan, me të drejtën tonë por pse jo edhe me fuqinë tonë. Jemi të fuqishëm se jemi në të drejtën tonë”, tha Haradinaj për RTK