Haradinaj i quan pallavra deklaratat e Thaçit: Askush s’ta falë Preshevën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur përsëri rreth mundësisë së shkëmbimit të territorit me Serbinë, dhe rreth korigjimit të kufijve me shtetin serb.

Haradinaj ka komentuar deklaratat e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korigjimin e kufijve mes dy vendeve.

Ai ka thënë se Thaçi nuk ka mandat për lëvizjen e kufijve të Kosovës dhe territorit të saj.

“Nuk e përkrahim presidentin me i lëvizë kufijtë e Kosovës sotme në dëm të territorit, nuk e ka këtë mandat nga unë si kryeministër, e as prej Aleancës”, ka thënë Haradinaj.

“Çka po kujtojmë se krejt budallë jemi në këtë vend a, tash po ta fal dikush Preshevën a, këto janë pallavra”, është shprehur Haradinaj.

I pytur se si duhet të trajtohen shqiptarët në Luginën e Preshevës, Haradinaj tha se ata do të jetojnë si ‘zotni’ kur të forcohet Shqipëria dhe Kosova.

“Çka me ba me shqiptarët e Preshevës, le të forcohet Shqipëria, le të forcohet Kosova, shqiptarët kudo që janë kanë me jetu si zotni”, ka thënë Haradinaj në RTV21.