Haradinaj: Heq dorë nga presidenti nëse dikush prej familjes Jashari kandidon për këtë pozitë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur gatishmërinë që të heq dorë nga posti i presidentit nëse dikush nga familja Jashari pranon të kandidojë për këtë post.

“Unë së pari lëviz nga vendi sa herë që përmendet familja Jashari dhe kushdo prej familjes së tyre e ka votën time për cilindo post politik. Nëse është puna tek unë, në momentin që dikush nga familja Jashari dëshiron të kandidojë, unë dhe AAK-ja tërhiqemi dhe e mbështesim familjen Jashari”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente Ramush Haradinaj i bëri në “Prime Time” të Kanal 10 ku tha se familja Jashari për të është familje e respektuar dhe do ta ketë mbështetjen e tij dhe partisë së tij edhe nëse vetë AAK-ja është në opozitë.