Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm pritet të jetë gjithçka gati për të filluar punën Gjykata Speciale.
Kjo gjykatë pritet të merret me krimet e supozuara të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa David Schëendiman është vendosur në krye të Prokurorisë Speciale, ku edhe pritet që akuzat e para të bëhen në fillim të vitit të ardhshëm.
Siç edhe dihet, Dhomat e Specializuara janë vendosur në Hagë, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe autoritetet holandeze.
Dhomat e specializuara të kësaj gjykate do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, i cili u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës dhe fajëson ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore.
Ndërsa në një prononcim për Indeksonline lideri i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova ka kaluar nëpër shumë gjyqe ndërkombëtare dhe se kjo e fundit është e tepërt.
“Kosova ka kaluar tre herë gjyqësinë ndërkombëtare. Unë mendoj se është e pandershme për Kosovën të ketë përsëri një gjyqësi të tillë. Është aspak e hijshme për Kosovën krahasuar me Serbinë të cilës i janë besuar gjykatat vendore ndërsa tek ne vazhdon të ndodhë e kundërta”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij është e panevojshme që për të katërtën herë të vendoset nga një gjykatë ndërkombëtare për vendin tonë.