Haradinaj asnjë fjalë për arrestimin e Gjuriqit

Lidhur me arrestimin e Marko Gjuriqit në veri të Mitrovicës kanë reaguar presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe dy zëvendëskryeministrat Pacolli e Hoxhaj, por jo edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi, me rastin e arrestimit të Gjuriqit ka kërkuar edhe maturi të qytetarëve dhe ka takuar edhe ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherinin.

Ndërsa, kryeparlamentari Veseli, përmes një postimi në facebook ia ka përkujtuar Serbisë se “Shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë. Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie”.

Ndaj arrestimit të Gjuriqit kanë reaguar edhe dy zëvendëkryeministrat, Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj, shkruan Telegrafi.

Për gjendjen e krijuar, pas arrestimit të Gjuriqit ka reaguar edhe ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili ka theksuar së është shumë i brengosur për ngjarjet e sotme në Mitrovicë. Por, ka thënë se nuk ka alternativë tjetër, përveç dialogut.

Edhe BE ka reaguar duke kërkuar nga autoritetet e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të tregojnë përmbajtjen dhe maturinë e nevojshme në mënyrë që situata në teren në Kosovë të mos eskalojë më shumë.

Mirëpo, deri tash ka munguar reagimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Madje kanë munguar edhe reagime nga ministrat e AAK-së. I vetmi që ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ka qenë deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka shorehur dozë dyshimi lidhur me arrestimin e Gjuriqit, duke thënë se po mundohet ta kuptojë atë që ndodhë sot në Mitrovicë, por nuk po mund t’i bie në fije.

Ndaj kësaj ngjarje nga partitë politike ka reaguar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, duke shprehur dyshime se kjo ngjarje vjen pas takimit të Thaçit me Vuçiqin në Bruksel.

Ndërkohë, pas ngjarjeve të sotme Lista Serbe ka paralajmëruar nisjen e iniciativës për daljen nga Qeveria e Kosovës.