Ballina Ekonomi Haradinaj 1.000 euro më shumë në ditë sesa Kurti

Haradinaj 1.000 euro më shumë në ditë sesa Kurti

Dyfish më pak shpenzime ka realizuar ish-Qeveria Kurti krahasuar me Qeverinë paraardhëse të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në më pak se tre muaj qeverisjeje, sipas një përllogaritjeje të Zyrës së Kryeministrit.

Të dhënat e përgjithshme janë nxjerrë me rastin e publikimit të raportit për 100- ditëshin e Kurtit, 49 prej të cilave kryetari i Vetëvendosjes i kishte si kryeministër në detyrë për shkak se u rrëzua me mocionin e iniciuar nga LDK-ja, raporton KOHA.

Por, sipas shifrave të kategorive specifike që ka siguruar KOHA, ish-kryeministri Kurti në total ka shpenzuar 64 për qind më pak sesa Haradinaj, derisa diferenca në ditë është 1 mijë e 33 euro.

589 mijë e 899 euro është totali i shumës që ka shpenzuar Zyra e kryeministrit Haradinaj për periudhën 3 shkurt 2019 deri më 23 prill 2019. Ndërkaq Kurti për të njëjtin periudhë të vitit pasues ka shpenzuar 212 mijë e 868 euro.

Për dreka zyrtare, përfshirë takimin në Sharr, kur ishte miratuar programi qeveritar, Qeveria Kurti ka shpenzuar 31 mijë e 16 euro, derisa ajo e Haradinajt 311 mijë e 721 euro, që i bie 90 për qind më shumë.

Karburant për vetura në kohën e Haradinajt janë shpenzuar 70 mijë e 67 euro, derisa Kurti i ka harxhuar 31 mijë e 792 euro. Për shpenzime të telefonisë Ekzekutivit të udhëhequr nga Kurti i janë përshkruar 12 mijë e 200 euro, atij të Haradinajt 17 mijë e 592 euro.

Brenda tre muajsh Haradinaj kishte shpenzuar për furnizim me mobilie dhe furnizime për zyrë rreth 67 mijë euro, derisa asnjë ministri e Qeverisë së fundit nuk ka shpenzime në këtë kategori.

Për bileta jashtë vendit, akomodim dhe mëditje Qeveria e Haradinajt ka shpenzuar 90 për qind më shumë, përkatësisht 337 mijë e 99 euro, për dallim prej Kurtit, që shpenzime në këtë kategori i ka 33 mijë e 960 euro. Diferenca në ditë ka qenë 831 euro.

Por, kjo kategori e shpenzimeve ka qenë e ndikuar nga situata me pandeminë COVID-19, përkatësisht nga mungesa e vizitave të Kurtit jashtë Kosovës. Një nga daljet e rralla jashtë vendit të tij kanë qenë vizitat në Shqipëri dhe Gjermani.

Shërbimet kontraktuese dhe manifestimet për epopenë e marsit janë kategoria e vetme, në të cilën Qeveria Kurti ia tejkalon me shpenzime asaj Haradinaj për 17 për qind. 117 mijë e 11 euro janë ndarë në kohën e Haradinajt për të njëjtën periudhë të vitit, kurse atë të Kurtit 136 mijë e 772 euro.

Sa u përket punësimeve në Qeveri për të njëjtën periudhë tremujore, gjatë udhëheqjes së Haradinajt janë punësuar 429 persona, kurse gjatë qeverisjes së Kurtit 303. Diferenca në paga për këta të punësuar është 1 milion euro më pak gjatë Qeverisë Kurti.

po ashtu ka pasur më shumë staf të punësuar në zyrë, në total prej 81 personave, derisa Zyra e kryeministrit Kurti 31 sosh. Edhe në dikasteret e Ekzekutivit diferenca është mbi 50 për qind të punësuar gjatë qeverisjes së Haradinajt.

Më 25 mars Kurti u shkarkua me shumicë votash në Kuvend, kryeministri më jetëshkurtër në qeveritë e paspavarësisë.

Qeveria e re, e drejtuar nga Avdullah Hoti, është zotuar se do të angazhohet për shpenzime publike që sigurojnë efikasitet të funksionimit të sektorit publik.

Exit mobile version