Ballina Lajmet Kosovë Hapet rruga për themelimin e muzeut të krimeve serbe

Hapet rruga për themelimin e muzeut të krimeve serbe

Të mërkurën Qeveria e Kosovës i hapi rrugë themelimit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri nëpërmjet votimit të shqyrtimit të propozim-vendimit për këtë muze.

Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muze si institucion.

“Institucioni do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht është Ministria e Kulturës ndërsa paralelisht do të zhvillojmë procedurat për zhvendosjen e administratës në një ndërtesë tjetër ose një të re. Kemi ndarë edhe buxhetin e nevojshëm”, ka deklaruar Çeku.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, abstenoi në votimin e kësaj nisme.

“Muzeu ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve”, është shprehur Çeku gjatë konferencës për media.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës po grumbullohen dhe po dërgohen në institucionet e Kosovës “për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i ruajtur ato”.

Tutje, Qeveria e Kosovës miratoi edhe projektligjin për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin dhe kontrollimin e duhanit. Nëpërmjet këtij projektligji do të rregullohet edhe çështja e cigareve elektronike.

Për Ligjin e Lojërave Mesdhetare që PDK-ja së fundmi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Çeku ka thënë se “sinqerisht nuk po mund të gjej shpjegim racional”.

“Përveç impulsit që vjen nga inati. Përmbajtësisht, ligji është shumë i avancuar. Për ne mbetet totalisht i pakuptimtë i PDK-së. Ne jemi të bindur që si proceduralisht ai ligj e kalon lehtësisht vlerësimin në Kushtetuese. Këta njerëz për interesa shumë të ngushta rrezikojnë interesin shtetëror”, ka thënë Çeku.

Exit mobile version