Hapet për publikun ballkoni i Pallatit Mbretëror

Këtë verë vizitorët e huaj në Londër do të kenë mundësinë të shohin ballkonin e famshëm në të cilin shfaqet shpesh familja mbretërore britanike në ngjarje të mëdha.

Biletat për vizitat 45-minutëshe me guidë, që do të zgjasin deri më 31 Gusht, tashmë janë shitur, pavarësisht një çmimi të kripur prej 75 £.

Nicola Turner Inman, punonjëse e Pallatit Mbretëror: Pra, ne jemi këtu në Dhomën Qendrore, ku është ballkoni i famshëm, ku familja mbretërore del në ballkon për raste veçanta siç ishte Jubileu i Platintë i Mbretëreshës Elizabeth. Kjo dhomë ishte pjesë e një projekti të realizuar nga Mbretëresha Victoria dhe Princi Albert. Ishte Princi Albert ai që në fakt sugjeroi ballkonin. Për herë të parë u përdor në 1851 për largimin e trupave për Luftën e Krimesë. Dhe që atëherë është përdorur nga familja mbretërore për një kohë mjaft të gjatë.

Në dhomën qendrore, vizitorët do të mund të shohin edhe një llambadari qelqi të sapo restauruar që i ngjan një lule zambaku dhe dy perde me mëndafsh të shekullit të 18-të, të paraqitura Mbretëreshës Viktoria për jubileun e saj në 1897.

Aksesi këtë vit është bërë i mundur për shkak të përfundimit të më shumë se pesë viteve restaurimi të krahut lindor të ndërtesës. Punimet thelbësore janë pjesë e Programit të Restaurimit të Pallatit Buckingham për të përmirësuar infrastrukturën e ndërtesës historike, për të përmirësuar aksesin dhe për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm.

Nicola Turner Inman: Hapja për publikun e kësaj pjesë të Pallatit Mbretëror ka qenë pjesë e projektit të restaurimit, një projekt 10-vjeçar për zëvendësimin e shërbimeve thelbësore të pallatit. Pra, ka qenë një mundësi për ne për të ruajtur shumë prej objekteve dhe për të kuptuar më shumë nga e kaluara e familjes mbretërore. Është një nga qëllimet tona për ta bërë koleksionin më të aksesueshëm për publikun. Por është edhe dëshira e Madhërisë së Tij Mbretit, i cili dëshiron që publiku të ketë akses tek rezidencat mbretërore.

Me kërkesë të Mbretëreshës Viktoria, arkitekti Eduard Blore u ngarkua të hartonte plane për ndryshime në Pallatin Buckingham, në mënyrë që të rriste akomodimin për familjen e saj në rritje. Midis 1847 dhe 1849, Krahu Lindor i Pallatit u shtua, duke mbyllur atë që më parë kishte qenë një oborr i hapur.

Pallati Mbretëror thekson se ishte Princi Albert ai që sugjeroi që ballkoni të vendosej në pjesën e përparme të pallatit si një mënyrë që anëtarët mbretërorë të ishin “të dukshëm dhe të lidheshin me publikun”.

Udhëtimet do t’i çojnë vizitorët nëpër dhoma dhe hapësira duke përfshirë Korridorin Kryesor, ku janë të ekspozuara piktura nga artistë si Thomas Gainsborough, Sir Thomas LaWrence dhe Franz Xaver Winterhalter.

Një numër i kufizuar turesh në atraksionet kryesore të pallatit mbretëror do të zhvillohen çdo ditë në Korrik dhe Gusht.

Nicola Turner Inman: Çmimi i biletës për këtë tur, i cili përfshin gjithashtu vizita në dhoma të ndryshme të Pallatit Buckingham, është 75 paund, por duhet të rezervoni për vitin e ardhshëm, sepse kam frikë, se ato tashmë janë shitur. Por ka bileta në dispozicion për Dhomat e Shtetit që besoj se janë 32 paund për person.