Raportohet se është hapur padi ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për shkak të tarifës doganore të vendosur në fillim të marsit për produktet me origjinë kineze, e cila u rrit nga 10 për qind në 20 për qind, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të “The Hill”, çështja ishte “sfida e parë ligjore” kundër tarifave të Trumpit.
Në padinë e ngritur në emër të Simplified, një biznes me bazë në Florida që importon dhe eksporton nga Kina, thuhet se Trump ka tejkaluar juridiksionin e Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (IEEPA), të cilin e përdori për të vendosur taksa doganore për produktet kineze, të cilat u rritën në 20 për qind në javët e mëparshme.
Në padi kërkohet që tarifat e vendosura nga presidenti Trump ndaj Kinës të konsiderohen si “të paligjshme” dhe të ndalohet zbatimi i tyre.
Gjithashtu në padi thuhet se IEEPA është miratuar për masa të tilla si sanksionet ekonomike dhe ngrirjet e aseteve kundër kërcënimeve të jashtme dhe se ky ligj “nuk u jep presidentëve autoritetin për të vepruar lirisht në ekonominë e vendit”.
Nga ana tjetër theksohet se në historinë gati 50-vjeçare të IEEPA-s, asnjë president nuk e kishte përdorur këtë ligj për të vendosur taksa doganore dhe se në tekstin e ligjit nuk përmenden detyrimet doganore.
– SHBA-ja do të vendosë tarifë doganore prej 34 për qind ndaj Kinës
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se vendi i tij do të vendosë tarifa reciproke ndaj vendeve të tjera duke filluar nga nesër, me një tarifë bazë mbi 10 për qind, tarifa doganore dhe “barriera të tjera jomonetare për tregtinë dhe format e mashtrimit”, duke marrë parasysh tarifat doganore me norma të ndryshme në varësi të vendit.
Në kuadër të kësaj u raportua se krahas tarifës bazë 10 për qind, ndaj Kinës do të vendoset një tarifë shtesë doganore prej 34 për qind, 24 për qind e së cilës do të jetë “tarifa reciproke”. Ndër tarifat e reja, tarifa bazë 10 për qind do të hyjë në fuqi më 5 prill dhe tarifa shtesë prej 24 për qind do të hyjë në fuqi më 9 prill.
Trump më parë vendosi një taksë doganore prej 10 për qind për importet nga Kina me dekretin që nënshkroi më 1 shkurt dhe tarifa në fjalë hyri në fuqi më 4 shkurt.
Ndërkaq, më 4 mars, Trump rriti tarifat doganore ndaj Kinës nga 10 në 20 për qind me ndryshimin që bëri në dekretin e mëparshëm.