Hapen pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë hapur pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdarë, pasi u mbyllen për qarkullim dje.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak.

Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë” shkroi Sveçla në Facebook.

Këto dy pikëkalime kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dje u bllokuan nga ora 18:00 e tutje nga dhjetëra serbë, të cilët barrikaduan kufijtë në anën serbe, si shenjë proteste për aksionin e Policisë së Kosovës që çoi në mbylljen e pesë objekteve që ilegalisht operonin si komuna paralele serbe.

Gjatë ditës së djeshme situata ishte e qetë në brezin kufitar nga ana e Kosovës, përveç një familjeje që u kthye prapa me forcë në Bërnjak, e që e njëjta po udhëtonte drejt Gjermanisë.