Hapen kutitë e votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoni

Sot në ora 07:00 u hapën qendrat e votimit me çka filluan zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni, ku të drejtën e votës deri në ora 19:00 në mbrëmje do të mund ta shfrytëzojnë 1.814.644 zgjedhës të cilët do të mund të prononcohen për 260 kandidatët për kryetar komunash, si dhe për 6.627 kandidatët për këshilltarë komunal nga gjithsej 372 lista të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta lokale në Maqedoni do të realizohet në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 29 tetor.

Fushata zgjedhore e cila zgjati 21 ditë, filloi më 25 shtator dhe përfundoi më 13 tetor në mesnatë. Sipas legjislacionit zgjedhor të Maqedonisë, të drejtën e votimit gjatë ditës së djeshme e shfrytëzuan të sëmurit, të pafuqishmit, të shpërngulurit, si dhe të burgosurit në institucionet ndëshkuese-përmirësuese.

Për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka akredituar 5.011 vëzhgues vendor, 373 vëzhgues të huaj, 294 përthkyes dhe 6 gazetarë të huaj.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni me anë të të cilave do të zgjidhet qeveria e re lokale për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.