Puna e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë duhet të jetë e bazuar në gjetjen e të vërtetës, vlerëson Stanley Hankeman, drejtori i Institutit për drejtësi dhe pajtim në Republikën e Afrikës së jugut.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Hankeman, duke krahasuar përvojat që ka pasur Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin në Afrikë të jugut, të cilin në vitin 2000 e ka trashëguar instituti që ai drejton, ka theksuar se “komisioni për të vërtetën dhe pajtimin, qëllimi përfundimtar i të cilit nuk është drejtësia, është i dënuar me dështim”.
“Njerëzit kanë nevojë një përfundim dhe komisioni për të vërtetën është një nga mënyrat e mira se si të arrihet deri te e vërteta. Natyrisht që, nëse dëshironi ta dini të vërtetën, është e nevojshme të vendoset mekanizmi që do të ofrojë siguri, sidomos për kryerësit e krimeve, që të dalin dhe ta tregojnë të vërtetën. E vërteta mund të merret vesh nga ata që e kanë kryer veprën, pse e kanë bërë atë dhe nën urdhrat e kujt e kanë bërë atë”, theksoi Hankeman.
Ai ka shtuar se amnistia, shpeshherë është pjesë e rëndësishme e këtyre komisioneve dhe në vende të ndryshme është trajtuar në mënyra të ndryshme. Megjithatë, sipas tij, në procesin e amnistisë në Republikën e Afrikës së jugut ka pasur mjaft lëshime.
Sipas tij, ajo çfarë u ka penguar njerëzve në Afrikën e jugut gjatë procesit të amnistisë është fakti se kryerësit e krimeve, për tu amnistuar, nuk kanë qenë të detyruar që të tregojnë pendesë për krimet e kryera.
Nisur nga kjo, ai nuk shpreh habinë se pse familjet e viktimave në Kosovë, kërkojnë që vënia e drejtësisë në vend të jetë parakusht për pajtim.
“Pas 18 vjetësh, ata njerëz ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë. Atëherë ngritet pyetja se për çfarë arsye presidenti dëshiron vendosjen e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin? Në qoftë se arsyeja është që të arrihet deri te drejtësia, atëherë kjo duhet të thuhet qartë. Njerëzit duhet të binden që do të marrin drejtësi. Por, nëse kjo bëhet vetëm për të vendosur paqja në shoqëri dhe që njerëzit të pajtohen ndërmjet tyre… ata nuk do ta marrin drejtësinë në atë mënyrë. Komponenti kyç i çdo procesi të tillë nënkupton se do të ketë drejtësi në fund. Kjo është ajo çfarë njerëzit dëshirojnë”, tha Hankeman.
Sipas tij, problemi i shumë komisioneve të ngjashme në botë, është se me to shpeshherë manipulohet, gjë që siç thotë ai, ka qenë shembull edhe në Afrikën e jugut.
Ai shpreh mendimin se është ide e keqe në rast se presidenti i emëron anëtarët e komisionit. Në Afrikën e jugut, sipas tij, emërimin e këtyre anëtarëve e ka bërë shoqëria civile dhe lista me emra i është dërguar presidentit të vendit.
Hankeman thotë se situata në Kosovë është më e rëndë sepse shumë familje të viktimave nuk e kanë përjetuar drejtësinë as 18 vjet pas luftës. Prandaj, siç thotë ai, komisioni i mundshëm për të vërtetën, duhet të përmbajë edhe komponentin gjyqësor.
“Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin duhet ta ketë fuqinë që të ndjekë njerëz. Për të ndodhur kjo, atëherë është e qartë që në komision janë të nevojshëm gjykatësit dhe të tjerë. Ky ka qenë problemi unë këtu, sepse nuk ka pasur drejtësi as para e as pas komisionit”.
“Pastaj, si mund të sjellë komisioni drejtësi në qoftë se bëhet fjalë vetëm për njerëzit që vijnë të tregojnë rrëfimet? Në qoftë se qëllimi nuk është drejtësia, atëherë kjo është traumatizim i popullit dhe këtë nuk mund ta bëni”, theksoi Stanely Hankeman.
Ditë më parë, në bisedat me Radion Evropa e Lirë, edhe ekspertët për të drejtat e njeriut nga Ballkani, kanë vlerësuar se një komision i tillë nuk mund të jetë i suksesshëm, përveç në rast se ai do të ishte i pavarur nga politika dhe në qoftë se në të njëjtën kohë mbahen edhe procese gjyqësore ndaj kryerësve të krimeve.