Hamza: Jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë për formimin e qeverisë, s’kam vija të kuqe

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është i gatshëm ta marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë, nëse partia e parë nuk arrin ta formojë.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë vijë të kuqe me ndonjë prej partive të tjera politike dhe se është i gatshëm të bisedoj me to.

“Në rast se partia e parë nuk arrin.. unë jam i gatshëm që t’i marrë përgjegjësitë për formimin e qeverisë. Unë dje kam dhënë dorëheqja nga pozita e të qenit deputet dhe arsyeja është që unë jam kryetar i komunës së Mitrovicës. Kjo nuk më ndalon që unë të punoj dhe kam mbështetjen e plotë të PDK-së për bisedat me partitë tjera me formu qeverinë nëse radha kalon te ne… Unë edhe gjatë fushatës zgjedhore kam qenë kundër vijave të kuqe…. jemi në biseda, asnjë barrierë me asnjë parti politike nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu”, ka thënë ai në konferencë për media.

Hamza ka shtuar se ende nuk kanë arritur te faza se si do të dukej një qeveri e koalicionit.

“Nuk besoj që duhet të ketë pengesë në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, unë pres që të ketë reflektim prej të gjitha partive dhe të ketë vota të mjaftueshme që të konstitucionet Kuvendi. Me disa parti politike jemi në rregull. Mundemi me ardhë të formula e qeverisë me disa, edhe me LDK ende nuk kemi mbërri në atë fazë për formimin e qeverisë. Kosovës në këtë fazë nuk i nevojitet vakumi institucional”, është shprehur ai.

Hamza ka konfirmuar se PDK-ja i ka ftuar partitë dhe është takuar me to, përveç Vetëvendosjes me të cilën ka thënë se nuk kanë kurrfarë komunikimi zyrtar.

“Për shkak të bindjeve politike për mu është e preferueshme krijimi i qeverisë me LDK-në dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvend. Na jemi të hapur me u ulë me bisedu me i dhanë vendit institucione”, ka theksuar ai tutje.

Hamza ka thënë tutje se nga VV-ja nuk ka ardhur asnjë ftesë në adresë të PDK-së për formimin e qeverisë.