Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi u paraqet ndërmjetësuesve propozimin për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në...

Hamasi u paraqet ndërmjetësuesve propozimin për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza

Hamasi njoftoi se u ka paraqitur ndërmjetësuesve, Katarit dhe Egjiptit propozimin lidhur me armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, transmeton Anadolu.

Përmes llogarisë në Telegram, Hamasi bëri një deklaratë me shkrim lidhur me çështjen.

“Më 14 mars lëvizja u paraqiti vëllezërve ndërmjetës (Egjiptit dhe Katarit) një propozim gjithëpërfshirës të bazuar në parimet dhe themelet që i konsideron të nevojshme për pajtim”, thuhet në deklaratë.

Në përmbajtjen e propozimit që lëvizja ka përcjellë ndodhet edhe dosja për shkëmbimin e pengjeve, thuhet në deklaratën ku potencohet se Hamasi gjithmonë do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e popullit të Palestinës.

“Ky hap është pjesë e ndjekjes së negociatave të zhvilluara përmes ndërmjetësuesve vëllezër në Egjipt dhe Katar për të ndalur sulmin kundër popullit tonë në Gaza, për të siguruar ndihmë ndaj tyre, për të siguruar rikthimin e të zhvendosurve dhe për të siguruar tërheqjen e forcave pushtuese nga Rripi i Gazës”, thuhet në deklaratë.

– Negociatat indirekte mes palestinezëve dhe Izraelit

Më 13 shkurt në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të pengjeve u mbajt një takim mes qeverisë së Tel Avivit dhe Hamasit.

Më vonë këto negociata vazhduan në kryeqytetin e Francës, Paris. Më 24 shkurt përfunduan negociatat e Parisit që u mbajtën me pjesëmarrjen e delegacionit izraelit të kryesuar nga drejtori i Mossad-it David Barnea, drejtori i CIA-s William (Bill) Burns, kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, shefi i inteligjencës egjiptiane Abbas Kamal dhe delegacioni i Hamasit.

Kabineti izraelit i luftës vendosi të “dërgojë një delegacion të nivelit të ulët” në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të vazhduar negociatat.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të mblidhte kabinetin në fillim të javës për të miratuar planet për sulmin në qytetin jugor Rafah, ku janë strehuar rreth 1.5 milionë njerëz që janë larguar nga sulmet në Rripin e Gazës dhe evakuimin e civilëve atje.

Mediat egjiptiane së fundmi njoftuan se negociatat filluan më 3 mars në Kajro me pjesëmarrjen e Egjiptit, Katarit, Hamasit dhe SHBA-së.

Exit mobile version