Grupi i rezistencës palestineze Hamas ka bërë të ditur se armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimi i të burgosurve është shtyrë për shkak të kushteve të reja izraelite, transmeton Anadolu.
Hamasi në një deklaratë tha se tregoi fleksibilitet dhe përgjegjësi gjatë negociatave të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Doha, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti.
“Pushtimi (izraelit) vendosi çështje dhe kushte të reja në lidhje me tërheqjen, armëpushimin, të burgosurit dhe kthimin e të zhvendosurve, gjë që vonoi arritjen e një marrëveshjeje që ishte në dispozicion”, tha Hamasi.
Nuk pati asnjë koment nga qeveria izraelite për deklaratën e Hamasit.
Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se një ekip negociator izraelit do të kthehet nga Katari për konsultime mbi një marrëveshje të mundshme shkëmbimi të të burgosurve me Hamasin.
Megjithatë, vëzhguesit e shohin njoftimin e Netanyahut si pjesë e një modeli të vonesave në negociata
Që nga armëpushimi i vetëm në fund të nëntorit 2023, kryeministri izraelit ka aluduar për një përparim në bisedime për një armëpushim të mundshëm, vetëm për të insistuar më vonë në vazhdimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës.
Besohet se Izraeli mban mbi 10.300 të burgosur palestinezë, ndërsa rreth 100 robër izraelitë janë në Gaza. Hamasi ka thënë se dhjetëra nga robërit janë vrarë në sulmet ajrore izraelite.
“Hendeku midis Izraelit dhe Hamasit nuk është i rëndësishëm dhe lejon arritjen e një mirëkuptimi”, tha dje e përditshmja izraelite ‘Yedioth Ahronoth’.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli ka vazhduar me luftën gjenocidale në Gaza duke vrarë të paktën 45.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtar lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për veprimet në Gaza gjithashtu për përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.