Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi njofton emrat e 4 pengjeve ushtare që do të lirohen të...

Hamasi njofton emrat e 4 pengjeve ushtare që do të lirohen të shtunën

Grupi i rezistencës palestineze Hamas njoftoi të premten emrat e katër ushtareve femra izraelite që do të lirohen të shtunën si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.

Në një deklaratë të shkurtër, zëdhënësi i Brigadave Al-Qassam Abu Obaida tha se grupi i tij do të lirojë katër ushtare izraelite të shtunën, 25 janar 2025.

Ai i identifikoi ushtaret si Karina Ariev, Danielle Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Izraeli mori nga ndërmjetësuesit një listë të pengjeve që do të lirohen nga Hamasi të shtunën.

Zyra e Netanyahut, megjithatë, tha se më vonë do të komentojë listën e dërguar nga Hamasi përmes ndërmjetësve.

Të dielën, ditën e parë të armëpushimit, Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë, ndërsa Hamasi liroi tri pengje izraelitë sipas marrëveshjes.

Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë rreth 47.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur afro 111.500 që nga 7 tetori 2023.

Marrëveshja trefazore përfshin një shkëmbim të të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.

Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha dhe banorët e saj të zhvendosur, të uritur dhe të prirur ndaj sëmundjeve.

Exit mobile version