Hamasi nën presion: Abbas kërkon dorëzimin e armëve dhe lirimin e pengjeve

Në një kohë kur populli palestinez përballet me sfida të mëdha nën pushtimin izraelit dhe ndërhyrjet e fuqive të huaja, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i ka bërë thirrje lëvizjes së rezistencës Hamas që të dorëzojë armët dhe të lirojë pengjet në Gazë.

Gjatë një fjalimi në Ramallah, Abbas u shpreh se Hamasi duhet të heqë dorë nga rezistenca e armatosur dhe të bëhet një parti politike nën ombrellën e Autoritetit Palestinez – një propozim që nga shumë palestinezë shihet si përpjekje për ta zbehur fuqinë e vetme që ka përballuar me forcë dhe sakrifica agresionin izraelit në Rripin e Gazës.

Hamasi, i cili ka fituar mbështetje të gjerë në mesin e popullit për qëndrimin e tij të vendosur ndaj Izraelit, ka refuzuar kërkesa të tilla nga jashtë, duke i konsideruar ato si përpjekje për ta dobësuar kauzën palestineze dhe për ta shuar zërin e rezistencës.

“Rezistenca është një e drejtë legjitime për një popull të pushtuar. Dorëzimi i armëve nën këto kushte do të ishte dorëzim i vullnetit tonë kombëtar,” kanë deklaruar burime të afërta me Hamasin.

Fjalimi i Abbasit u pa gjithashtu si pjesë e një lëvizjeje për të emëruar një pasardhës të mundshëm, në një kohë kur legjitimiteti i Autoritetit Palestinez është vënë në pikëpyetje nga shumë palestinezë për shkak të bashkëpunimit të tij të vazhdueshëm me Izraelin dhe mungesës së zgjedhjeve demokratike.

Në të njëjtën kohë, Hamasi vazhdon të mbetet një simbol i qëndresës dhe përpjekjes për liri në mesin e një populli që prej dekadash kërkon të drejtën e vet për vetëvendosje.