Hamasi miraton propozimin e ri të armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit

Grupi i rezistencës palestineze, Hamasi, ra dakord të shtunën vonë për një propozim të ri armëpushimi për Rripin e Gazës, i paraqitur nga Egjipti dhe Katari, duke shprehur shpresën se Izraeli nuk do ta pengojë planin, transmeton Anadolu.

“Pranuam një propozim dy ditë më parë nga vëllezërit tanë në Egjipt dhe Katar, të cilët po ndërmjetësojnë bisedimet,” njoftoi Khalil al-Hayya, kreu i Hamasit në Gaza, në një fjalim televiziv me rastin e Fitër Bajramit.

“Ne e pritëm pozitivisht propozimin dhe e pranuam atë, dhe shpresojmë që pushtuesi të mos e sabotojë atë apo të minojë përpjekjet e ndërmjetësve”, shtoi ai.

Al-Hayya nuk bëri të ditur detaje rreth propozimit, por mediat ndërkombëtare kanë raportuar ditët e fundit se Egjipti dhe Katari kanë paraqitur një propozim për një armëpushim në Gaza, sipas të cilit faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit dhe e shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit do të hyjë në fuqi.

“Ne iu përmbajtëm plotësisht angazhimeve tona dhe punuam me ndërmjetësit për t’u siguruar që Izraeli do t’i respektonte detyrimet e tij. Megjithatë, ai refuzoi gjithë marrëveshjen pasi përfundoi faza e parë”, tha ai.

Gazeta izraelite Yedioth Ahronoth raportoi më vonë se Tel Avivi ka paraqitur një propozim alternativ për një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza, në të cilin kërkon që Hamasi të lirojë dhjetë robër në vend të pesë, siç përcaktohet në propozimin egjiptian.

Ajo citoi burime të mirëinformuara të kenë thënë se Izraeli “shpreson të arrijë një marrëveshje armëpushimi përpara festës së Pashkës hebreje”, e cila bie midis 12 dhe 20 prillit.

Më herët të shtunën, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Tel Avivi i është përgjigjur propozimit të marrë nga ndërmjetësit me një alternativë, e cila është plotësisht e koordinuar me Washingtonin, pa bërë publike përmbajtjen e asnjërit prej propozimeve.

Ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë 920 njerëz dhe duke plagosur afro 2.000 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në janar.

Më shumë se 50.200 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 114.000 janë plagosur në sulmet brutal ushtarake izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.