“Hamasi kërkon nga Kryqi i Kuq të përgatitet për transferimin e pengjeve”

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, sipas transmetuesit izraelit ‘Channel 12’, ka marrë një thirrje nga Hamasi për t’u drejtuar në pikën e caktuar të transferimit në Gaza, ku janë planifikuar të lirohen katër gra pengje izraelite, transmeton Anadolu.

Një korrespondent i Anadolu-t raportoi se në orët e hershme të mëngjesit, një autokolonë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u nis për në vendkalimin Kerem Shalom në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Autokolona përbëhej nga disa automjete të Kryqit të Kuq, përfshirë një autobus me kapacitet prej 20-25 personash.

Ende nuk ka ndonjë prononcim zyrtar nga Kryqi i Kuq.

Dëshmitarët për Anadolu thanë se dhjetëra anëtarë nga Brigadat Al-Qassam dhe Brigada Al-Quds u vendosën në Sheshin e Palestinës në Qytetin Gaza, së bashku me mijëra palestinezë, në përgatitje për dorëzimin e pengjeve izraelite.

Chanell 13, nga ana tjetër, raportoi se edhe familjet e pengjeve u informuan se lirimi pritet rreth orës 10:00 të mëngjesit (GMT) me kohën lokale.

Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi të dielën e kaluar ndaloi sulmin shkatërrues të Izraelit në Gaza, i cili që nga 7 tetori i vitit 2023 ka marrë jetën e më shumë se 47 mijë palestinezëve, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.

Marrëveshja prej tre fazash përfshin një shkëmbim të të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.

Sulmet izraelite e kanë kthyer Gazën në gërmadha dhe i kanë detyruar banorët e saj të zhvendosen, në uri dhe të prirur ndaj sëmundjeve.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.