Hamas: Vrasja e palestinezit me probleme mendore, “krim terrorist”

Lëvizja palestineze Hamas dënoi ashpër vrasjen e palestinezit me probleme mendore në Kudsin Lindor të pushtuar, i cili u vra nga policia izraelite pasi nuk kuptoi paraljmërimet e tyre për të ndaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hamas deklaroi se kjo vrasje në kuptim të plotë paraqet “krim terrorist”.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazim Qasim, tha në një deklaratë se vrasja është një tregues i qartë i politikave pushtuese izraelite

“Vrasja e palestinezit me probleme mendore është një tregues i politikave kriminale dhe sadiste të Izraelit”, tha Qasimi, duke shtuar se populli palestinez do t’u përgjigjet krimeve të tilla izraelite me rezistencë të re dhe intifadë të vazhdueshme, si dhe mobilizim masiv të forcave.

Ai theksoi se terrori izraelit me siguri do të vazhdojë deri në dëbimin e pushtimit izraelit ndaj territorit palestinez.

Ai vuri në dukje se të gjithë ata të përfshhen në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin janë bashkëpunëtorë në krimet terroriste të okupimit të Izraelit, i cili ka derdhur gjakun palestinez për dekada të tëra.

Kujtojmë se policia izraelite në Kudsin Lindor të okupuar vrau një palestinez me aftësi të kufizuara mendore pasi ai nuk e kuptoi paralajmërimin e tyre për të ndaluar.

Sipas burimeve lokale, policia izraelite qëlloi dhe vrau 32-vjeçarin Iyad Hayri Hallak afër Al-Esbat, një nga hyrjet e Xhamisë Al-Aksa.

Policia izraelite vrau palestinezin nën dyshimet se mbante një armë dhe nuk iu bind paralajmërimit që të ndalet. Megjithatë, më vonë nuk u gjetën armë te palestinezi i vrarë dhe doli se ai ishte duke shkuar në shkollën e cila ndodhet në pjesën e Qytetit të Vjetër.

Mediat lokale raportuan se palestinezi me probleme mendore nuk iu bind urdhrit të policisë, sepse ai nuk e kuptonte paralajmërimin për të ndaluar.

Policia izraelite tha se Hallak mbante një objekt të ngjashëm me armë dhe u përpoq të ikte pasi u paralajmërua të ndalonte. Në deklaratë thuhet se policia u përpoq ta kapte dhe se ai u plagos rëndë, me çka humbi jetën.