Hamas ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për lirimin e pengjeve pa ndalimin e plotë të sulmeve izraelite në Gaza. Grupi kritikoi gjithashtu presidentin e zgjedhur Donald Trump për deklaratën e tij të ashpër se do të kishte “pasoja të rënda” nëse pengjet nuk lirohen deri më 20 janar, kur ai merr detyrën.
Ndërkohë, bisedime intensive po zhvillohen midis Hamasit dhe Izraelit me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit për të arritur një armëpushim në Gaza.
Administrata aktuale e SHBA-së ka bërë thirrje për një marrëveshje përfundimtare para largimit të Joe Biden nga posti, ndërsa inagurimi i Trump shihet si një afat jozyrtar në rajon. Megjithatë, të dyja palët vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokimin e marrëveshjes për shkak të kushteve që kanë dështuar edhe në përpjekjet e mëparshme për paqe.