Hallvë Me Arra Dhe Lëng Portokalli

Hallvë Me Arra Dhe Lëng Portokalli
Ajo ka një shije të veçantë dhe të plotë, e cila të ngop që në kafshatën e parë.

Mënyrat e përgatitjes së hallvës ndryshojnë në saj të përbërësve që amvisat përdorin.

Disa e preferojnë me miell gruri të tjerë me miell misri, gjithashtu disa e përgatisin me sherbet e të tjerë thjeshtë me sheqer.

Pastaj vjen diskutimi i frutave me të cilat gatuhet kjo ëmbëlsirë. Ka shumë persona që e preferojnë me frutat e thata si arra, bajame madje edhe lajthi.

Ndërsa të tjerë me fruta të thara apo edhe të freskëta.

Përbërësit

2 filxhanë çaj miell misri

1 filxhan vaj ulliri

2 filxhanë sheqer

5 filxhanë ujë

1 filxhan arra ose bajame

2 portokalle mesatare

Kanellë
Përgatitja

Si fillim në tenxhere hidhni ujin, sheqerin dhe kanellën. Përziejeni mirë derisa sheqeri të jetë tretur.

Më pas shtrydhni portokallet dhe lëngun e tyre shtojeni tek tenxherja ku keni sheqerin.

Përziejeni mirë për disa minuta dhe vendoseni në zjarr mesatar.
Lëreni tenxheren në zjarr derisa të shihni që në sipërfaqen e saj fillojnë krijohen bulëza.

Kur të valojë lëreni tenxheren në zjarr për 5 minuta kështu do të krijohet një masë afërsisht si sherbet.

Në një tenxhere tjetër ngrohni vajin dhe skuqni aty miellin duke e përzierë me një lugë druri.

Mundohuni që ta përzieni sa më shpesh kështu mielli nuk do të digjet dhe të hidhërojë ëmbëlsirën.

Sapo mielli të ketë filluar të marrë një ngjyrë të artë të fortë ulni temperaturën e zjarrit dhe bashkoni arrat.

Tani e ka radhën sherbet i cili është i ngrohtë, ndaj dhe tregoni kujdes që të mos digjeni.

Ndërkohë që hidhni sherbetin përziejeni masën në mënyrë që të mos ngelet me kokrra të patretura mielli.

Vazhdoni ta përzieni ngadalë në zjarr të ulët derisa të shihni që hallva ka marrë formën e saj karakteristike.

Mund t’ju duhet rreth 15-20 minuta për të gjithë recetën, kjo sepse hallva do pjekur në temperaturë të ulët.

Kur ëmbëlsira të jetë gati ndajeni nëpër pjata duke i dhënë formë vezake përmes lugëve.

Lëreni të ftohet pak dhe mund ta shijoni duke e shoqëruar me reçel portokalli