Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Halepi nën bombardime intensive

Halepi nën bombardime intensive

HALEP (AA) – Prej mesditës së djeshme rajonet e kontrolluara nga opozitarët në Halep ndodhen nën valën e bombardimeve të rënda, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, Bibers Mishal, një zyrtar i mbrojtjes civile, tha se “që prej mëngjesit të ditës së djeshme avionët rusë dhe ato të regjimit të Asadit nuk janë larguar nga qielli i Halepit.”

Mishal ka thënë se krahas bombardimeve nga ajri, regjimi sirian, ka bombarduar me artileri të rëndë edhe nga toka.

Duke theksuar se në lagjen Shear është goditur edhe një shkollë, Mishal në vijim tha: ”Ekipet e shpëtimit e kanë shumë të vështirë të shkojnë në vendngjarje për shkak të bombardimeve të rënda. Popullata nuk del dot nga shtëpitë si rrjedhojë e frikës.”

Ambulanca që shkoi në vendgjarje u bombardua”

Duke nënvizuar se një ambulancë që shkonte në vendngjarje është bombarduar, Mishal në vijim ka thënë se në këtë sulm të paktën 6 civilë kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

“Çdo gjë që lëviz bombardohet. Populli është në panik. Nuk di çfarë të bëjë. Të plagosurit nuk munden të dërgohen as në spitale”, ka shtuar ai.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau, ditën e djeshme dënoi sulmet e regjimit dhe Rusisë në Halep. “Sipas raportit të fundit janë goditur 5 spitale dhe një ambulancë. Kjo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar të luftës”, ka thënë ajo.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ditën e djeshme deklaroi se forcat ruse prej 28 ditësh nuk fluturojnë mbi Halep.


Exit mobile version