Hahn: Të respektohet shumica parlamentare

Të respektohet demokracia dhe shumica parlamentare, të mos nxiten tensionet ndëretnike, të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe shpejt të formohet qeveria. Këto janë kërkesat e BE, por befason përgjigja maqedonase.

Pas qëndrimit në Shkup, Komisioneri për zgjerim Jahanes Hahn dhe eurodeputetët Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Knut Flekenstajn i bënë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov që të rishqyrtojë qëndrimin e tij lidhur me dhënjen e mandatit për formimin e qeverisë.

“Në inkurajojmë presidentin që të rishqyrtojë urgjentisht qëndrimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Tani presim nga të gjithë udhëheqësit politikë dhe institucionet që të lejojnë procesin demokratik të rrjedhë në rrugën e tij – në interes të qytetarëve. Zvarritjet e muajve të fundit tashmë e kanë dëmtuar ekonominë e vendit”, thuhet në komunikatë. Zyrtarët evropianë presin që gjatë ditëve në vijim të ketë hapa konkret për krijimin e shpejtë të një koalicioni të qëndrueshëm qeveritar. “Kjo është mënyra e vetme për t’u rikthyer në rrugën evropiane, që qytetarët e Maqedonisë e duan dhe e meritojnë”, thuhet në komunikatën e Johanes Hahn dhe tre eurodeputetëve.

Zaev: Çdo ditë e humbur, është ditë e rrezikshme për Maqedoninë

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka thënë se ata janë për formim sa më të shpejtë të Qeverisë. Zaev pohon se proceset nuk duhet të zhagiten. Kjo mund të rrezikojë edhe Maqedoninë, sepse qytetarët mund të humbin durimin. “Mesazhet e ndërkombëtarëve janë të qarta! Çdo ditë e harxhuar, është ditë e rrezikshme për Maqedoninë. Besojmë që nuk do të pengojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Qytetarët e kanë humbur durimin, ndaj ne duhet të marrim vendime. Qëndrimi ynë është i qartë, ne presim respektim të Kushtetutes dhe ligjit”, ka thënë Zoran Zaev, pas takimit me Johanes Hahn.

Ahmeti:Kriza politike të mos shëndrohet ne krizë ndëretnike

Për kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti rikthimi në normalitet dhe funksionimi i institucioneve të shtetit mund të arrihet nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit ndërpartiak. “Sigurisht që ne duhet të dialogojmë dhe të kërkojmë zgjidhje, për të mos e rrezikuar gjendjen. Duhet të grumbullojmë energjitë pozitive dhe t’i vëmë ato në funksion të zgjidhjes së krizës. Kriza duhet të zgjidhet me mjete politike dhe nuk duhet lejuar që kriza politike të shndërrohet në krizë ndëretnike. Të gjithë duhet të investojnë në drejtim konstituimit të institucioneve dhe të funksionimit të tyre”, ka thënë Ahmeti.

VMRO-DPMNE kukshtëzon zgjidhjen e krizës

Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE ka thënë se kjo parti u ka propuzuar partnerëve nga BE që nëse Zaev dëshiron të formojë Qeveri të mos kushtëzohet me Platformën shqiptare dhe që kjo Platformë të refuzohet. Opsioni i dytë është organizimi i zgjedhjeve parlamentare që të zhvillohen në muajt e ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale.

Besa mbështetë koalicionin

“Sa më shpejtë të jepet mandati që të formohet Qeveria dhe të vazhdojmë në rrugën e vetme drejt NATO-s dhe BE-së”, është kërkesa e liderit të LR-PDSH Ziadin Sela. Sipas tij, presidenti mund të ketë qindra qëndrime. President i shtetit mund të ketë qëndrim personal lidhur me mandatin, por ai duhet t’ia japë mandatin atij që siguron shumicën. Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami vlerson se takimet me zyrtarët e BE-së janë të një rëndësie të vaçantë, sidomos për hapat që duhet të ndërmirren me qëllim daljen e vendit nga kriza.

“Ne vlerësojmë se ka faktorë që dëshirojnë që këtë krizë institucionale ta thellojnë dhe ta shndërrojnë në krizë ndëretnike. Përkrahja e eurodeputetëve është e një rëndësi të veçantë. Në këtë drejtim janë edhe aktivitetet e BESËS”, ka thënë Kasami.

Arrihet edhe një marrëveshje

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë rënë dakord për përbërjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve si parakusht për caktim të vazhdimit të seancës konstituive të Parlamentit. Komisionin do ta përbëjnë 6 anëtarë të VMRO- DPMNE, 5 anëtarë të LSDM-së, ndërsa me nga anëtar do të përfaqësohen dy partitë politike shqiptare – BDI dhe Lëvizja Besa. Ky Komision pritet së shpejti të propozojë edhe kryetarin e Parlamentit.