Haftar vazhdon të shkelë armëpushimin në Libi

Kryekomandanti puçist libian Khalifa Haftar përsëri ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe militantët e tij qëlluan trupat libiane me raketa të shumta në qytetin Sirte, tha sot në mëngjes zëdhënësi ushtarak i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Mohammed Kanunu në deklaratë tha se ndonëse ushtria libiane respekton armëpushimin, militantët e Haftarit e kanë shkelur atë për herë të katërt që kur u deklarua muajin e kaluar.

Asnjë informacion nuk është publikuar deri më tani për viktimat.

“Forcat tona janë në mobilizim të plotë”, tha Kanunu, duke theksuar se ushtria po pret urdhrin nga kryeministri libian Fayez al-Sarraj për të dhënë kundërpërgjigjen për sulmet në kohën e duhur.

Më 21 gusht, Qeveria e Libisë shpalli armëpushim dhe urdhëroi ushtrinë të ndalojë operacionet kundër milicëve të Haftarit.

Sidoqoftë, më 27 gusht, ushtria libiane njoftoi shkeljen e parë të armëpushimit nga milicët, të cilët gjuajtën më shumë se një duzinë raketa Grad në pozicionet e ushtrisë në perëndim të qytetit Sirte.