Gjatë periudhës së sundimit Osman nga gjiri i popullësisë shqiptare dolën një numër i konsiderueshëm personalitetesh që kontribuuan në jetën politike, ushtarake, intelektuale dhe shoqërore osmane. Kontributi i tyre ishte i pamohueshëm aq saqë ndikoi edhe në sukseset e perandorisë. Megjithatë, përtej këtij mozaiku personalitetesh të suksesshëm, populli ynë ofroi edhe memorizues/hafiza të Kur’anit Fisnik të cilët vërtetë mahnitën bashkëkohanikët e tyre. I këtij rangu padyshim që ishte edhe hafiz Ismail Efendiu nga Vlora.
Ismail Efendiu ka qenë kryemyezini i Xhamisë së Sulltan Selimit në Konja, që ndryshe quhet edhe Xhamia e Tyrbeynysë. Për datën kur ka lindur nuk ka të dhëna. Prejardhjen e ka nga Vlora e Shqipërisë. Edhe i ati me të gjyshin ishin zëbukur, prandaj kishin bërë famë si familje “bilbilash”. Arsimin fillor dhe pasfillor i kreu në vendlindje, ku mori edhe dijet e para fetare pranë familjes nga babai dhe nëna. Pastaj vajti në shkollën fetare të lagjes e më pas në medrese ku u bë hafiz.
Në këto shkolla u ra në sy mësuesve për zërin tejet të plotë e të bukur. Falë kësaj mori lëndë muzikore dhe mësoi disa instrumenta. Me fillimin e pushtimit të trojeve shqiptare (1917-1920), mërgoi në Bullgari, ku nisi t’i jepte mësime private në violinë vajzës së një oficeri. Pasi filluan luftimet edhe atje, oficeri në fjalë, pasi e kishte kuptuar se Ismail Efendiu ishte një vlerë e madhe, e dërgoi në Medinen e Ndritur, ku do të kalonte shtatë vjet duke mësuar në medrese të ndryshme dhe duke i zhvilluar njohuritë e përvojat. Atje u martua me Naime Hanëmen, bijë e një familjeje me prejardhje nga fisi i Bijve të Karamanit. Bashkë patën një vajzë që e quajtën Firdevs. Pasi kreu arsimin e lartë në medresetë e Medines, vajti në Stamboll ku u emërua në detyrë. Vazhdoi edhe rrugën shpirtërore duke u lidhur me Es’ad Efendiun. Pas shpalljes së ligjit për mbiemrat, mori mbiemrin “İren”. Shërbeu në xhami të shumta.
Një natë pa në ëndërr Hazreti Mevlana Xhelaledin Rumiun dhe kjo i ngjalli dëshirën për t’u shpërngulur në Konja dhe për ta vazhduar atje detyrën. U emërua imam i mesxhidit në Dergjahun e Mevlanait. Në këtë kohë i ndërroi jetë e shoqja. Pas njëfarë kohe u martua me Medine Hanëmen, bijë e një familjeje të shquar të Konjës. Në respekt të qytetit të bekuar, të shoqen preferonte ta thirrte “Mediha” në vend të “Medine”. Me të pati tre fëmijë: Xhelaledinin, Eminenë dhe Nezahatin. Nisur nga llagapi i të atit dhe i të gyshit në vendlindje, në Konjë e thirrnin “Hafiz Bilbili nga Medina”. Qëndroi katër vjet në detyrë. Me kthimin e Dergjahut të Mevlanait në muze, u emërua kryemyezin i Xhamisë së Sulltan Selimit. Në vitin 1941 e humbi shikimin në të dy sytë. Ata që e njihnin dëshmojnë disa “mrekulli” të tij.
Në periudhën kur ezani këndohej turqisht, Hafiz Fahriu me famë u dërgua nga Stambolli në Konjë për t’u dhënë mësime myezinëve. Kur e dëgjoi ezanin e Ismail Efendiut, tha: “Pse më paskan sjellë mua kur këtu qenka një gjeni si ju?” dhe nisi të merrte mësime prej tij në vend që t’i jepte mësim.
Në moshën 96 vjeçare, Ismail Efendiu dha frymën e fundit dhe u kthye pranë Zotit. U varros në Varrezën e Yçlerëve, në hijen e Kubesë së Hadrasë dhe të minareve të Xhamisë së Sulltan Selimit, ku ishte ngjitur sa vjet për të kënduar ezanin.
Në arkivat muzikografikë ka disa pjesë me autor “Müezzin Hafız İsmail Efendi”, “Hafız İsmail Efendi” dhe “Şeyh İsmail Efendi”. Një akrostikë në makamin hixhaz që fillon me vargun “Bacâdır zâtına hatm-ı nübûvvet” ka si kompozitor “Müezzin Hafız İsmail Efendi”, një këngë në makamik ferahnak që fillon me vargun “Cân ü gönülden o gülzâre” ka si autor “Hafız İsmail Efendi” dhe një ilahije në makamin rehavi që fillon me vargun “Şebpir ü şebper mürşid ü rehber” ka si autor “Şeyh İsmail Efendi”.
(Ky tekst është pjesë i librit “Hafiz Musikişinaslar” botuar në vitin 2021 nga Kryesia e Çështjeve Fetare pranë Republikës së Turqisë me autor Doç. Dr. Fatih Koca. Përkthimin në shqip të këtij artikulli e realizoi Rubin Hoxha)