Ballina Artikuj Hafiz Ibrahim Dalliu – Kujtim

Hafiz Ibrahim Dalliu – Kujtim

Si sot, më 25 maj 1952, ndërroi jetë atdhetari, poeti, përkthyesi, publicisti dhe teologu, Hafiz Ibrahim Dalliu.

Ky mendimtar i përkushtuar tiranas ndihmoi në fitimin e pavarësisë së qytetit rreth dy ditë para shpalljes së Pavarësisë kombëtare më 28 nëntorin e 1912-s. U rikthye në atdhe pas studimeve të ndjekura në Stamboll dhe militoi për krijimin e shkollës së vajzave në Tiranë, nga ku doli një plejadë mësuesesh.

Dalliun e ndeshim ngado ku flitet për çështje atdhetare dhe arsimore, siç ngjau në Kongresin e Elbasanit më 1909-n, ku u vendos hapja e Shkollës Normale. Do të ishte pjesë edhe e Kongresit të Bashkimit Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Lidhjes Kombëtare dhe pjesë përbërëse e Asamblesë Kombëtare më 1943-shin (kjo pjesëmarrje do të ndikonte edhe në burgosjen e tij fill pas marrjes së pushtetit nga komunistët).

Dalliu do të mbahet mend edhe si autor i një sërë shkrimesh, kryesisht të natyrës atdhetare dhe fetare. “Grenxat e kuqe të Tiranës”, “Besimet e myslimanëve”, “Dhanti e Ramazanit”, “Udha muhamedane”, “Dokrrat e hinit”, “Patriotizma në Tiranë”, “Ç’është Islamizmi” etj. Ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.

Nga: Vladimir Kera

Exit mobile version