Banorët e Hades dhe Shipitullës kanë paralajmëruar protestë te drejtoria e KEK-ut.
Banorët e Hades dhe Shipitullës pritet të protestojnë të martën para drejtorisë së KEK-ut te Termocentrali Kosova B.
Këta banorë në një njoftim u kanë bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Obiliqit, organizatave joqeveritare, partive politike dhe institucioneve të kësaj komune që t’i përkrahin për protestën e paralajmëruar.
Protesta lidhet me shpronësimin e këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.
Banorët në njoftimin për protestë thonë se “me dekada të tëra jemi të diskriminuar me rastin e shpronësimit të pronave tona stërgjyshore”.
Ata tregojnë se do të protestojnë për trajtim të dinjitetshëm dhe punësim.
“Ne kërkojmë përkrahjen tuaj për ketë protestë kundër KEK-ut, që një herë e përgjithmonë qytetaret e Obiliqit të trajtohen dinjitetshëm sipas Ligjit për Obiliqin dhe ligjeve tjera në fuqi, ku shpronësimi të jetë i pranueshëm për të dy palët si dhe të na jepet mundësia për punësim sipas ligjit të lartcekur”, thuhet në njoftimin e banorëve.
Ujup Mirena, një banor i Hades tha për KALLXO.com se banorët e lagjeve Krasniqi, Mirena, Bërbatovci dhe Mjekiqi janë duke protestuar që 48 orë para ekskavatorëve të KEK-ut.
Sipas tj këta ekskavatorë u janë afruar objekteve të banimit.
Ai tregon se dje Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ua ka ndërprerë punën ekskavatorit 10 Bardh dhe ekskavatorit 10 Mirash, por sipas tij pas një ore këta ekskavatorë kanë filluar përsëri punën.