Në jetën reale Aldo Ymeraj 25 vjeç njihet si një i ri vetmitar dhe i mbyllur. Ai jetonte në Fier mes dy prindërve të ndarë dhe kush është afër tij e di lidhjen e forte me kompjuterin.
Në jetën virtuale ai quhet “Kubanezi”, pjesë e një rrjeti hakerash prej 10 mijë anëtarësh. Por si çdo hakerues në internet të dhënat e tij nuk ekzistojnë, ai nuk ka Facebook dhe as llogari tjetër me këtë emër.
E vetmja foto është ajo e disa viteve më parë përpara se ai të ishte 20 vjeç, në një faqe ku komentet më të shumta i merr nga Ukraina. Djali nga Fieri e nisi duke thyer fjalëkalime në Facebook për të përfunduar në një grup ndërkombëtar të krimeve kompjuterike që vidhte Bitcoin me vlera disa milionëshe, karta krediti dhe llogari bankare.
Por emri i Aldo Ymeraj u bë i njohur për policinë vendase gjatë goditjes së grupit AHG, Albania Hackers Group i cili solli jo pak shqetësim në bllokimin e serverave të institucioneve shteterore dhe mjaft shoqërive private.
Por ky arrestim duket se më pas vetëm sa e perfeksionoi talentin e hackerues-it Ymeraj i cili sipas kësaj skeme rezulton të jetë mes 36 anëtarëve të grupit ndërkombëtar “In froud we trust, “Në mashtrim ne besojmë”.
Aldo Ymeraj u prangos teksa po pinte kafe në një lokal në Tiranë për llogari të një flete arresti të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që drejtuan në të njëjtën kohë një operacion disa shtetësh për të goditur hakeruesit që besohet se kryenin krime kompjuterike që prej 2010 .
Grupi ku Aldo Ymeraj ishte pjesë ka mundur të vjedhë 530 milionë dollarë, që përvetësoheshin përmes shitjes së të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit. Por i riu nga Fieri që prej arrestimit nuk ka thënë asgjë për autoritetet shqiptare ndërkohë që pritet që ai ti dorëzohet drejtësisë amerikane.
Perveç Ymerajt jane edhe 12 të tjerë të arrestuar në Kosovë, Serbi, Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Britani. Grupi mendohet se është themeluar nga 34-vjeçari ukrainas Svatoslav Bondareko i njohur me nofken “Rektori”, por vendndodhja e tij nuk është zbuluar ende .Nga ana tjetër, rusi Sergei Sergejeviç që mendohet se është njëri nga bashkëpuntorët e tij më të ngushtë u arrestua gjatë pushimeve në Tajlandë.
“In fraud we trust” përdorte një forum në internet ku blinte dhe shiste karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale. por siç dyshon Departamenti i Drejtësisë amerikane kjo organizatë ka 10.901 anëtarë./Top Channel/