“Haaretz”: Izraeli e goditi kullën në Gazë pavarësisht se e dinte praninë e zyrave të shtypit

Sipas lajmit të së përditshmes “Haaretz”, ushtria izraelite hapi zjarr paralajmërues në çatinë e kullës 13-katëshe “Al-Jala”, ku ndodheshin zyrat e televizionit “Al Jazeera” dhe agjencisë së lajmeve “Associated Press” (AP), përpara se ta bombardonte dhe rrëzonte atë. Menjëherë pas zjarrit paralajmërues, gazetarët e huaj paralajmëruan kolegët e tyre izraelitë dhe zyrtarët izraelitë të mbrojtjes se në objekt kishte zyra mediash.

Megjithatë – vijon gazeta – edhe pse disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit u përpoqën të parandalonin sulmin, komandantë të lartë urdhëruan goditjen e kullës dhe në këtë mënyrë, 1 orë e 20 minuta pas zjarrit të parë paralajmërues, godina u bombardua dhe u kthye në një grumbull rrënojash.

Gjatë sulmeve 11-ditore të kryera në maj 2021 nga Izraeli në Rripin e Gazës nën bllokadë, humbën jetën 232 persona, 65 prej të cilëve fëmijë dhe 39 gra; u zhvendosën të paktën 75 mijë njerëz dhe u shkatërruan plotësisht 1.800 shtëpi.

Në kullën “Al-Jala”, e cila u shkatërrua nga avionët luftarakë izraelitë më 15 maj, ndodheshin zyrat rajonale të rreth 30 organeve mediatike vendase dhe të huaja, përfshi këtu agjencinë e lajmeve “AP” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe televizionin panarab “Al Jazeera” me seli në Katar, si dhe afërsisht 30 hyrje të banuara nga civilët. /trt