Haaland paralajmëron rivalët e Manchester Cityt

Sulmuesi Erling Haaland ka paralajmëruar rivalët e Manchester Cityt pasi i shënoi pesë gola në fitoren 6:2 ndaj Lutonit në Kupën FA, të martën mbrëma.

Norvegjezi 23-vjeçar shkroi histori duke u bërë lojtari i parë i Cityt që shënoi pesë gola në ndeshje më shumë se një herë. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola kaloi në çerekfinale pas paraqitjes impresive.

Haaland kohë më parë është kthyer pas pushimit prej dy muajsh për shkak të një lëndimi të shputës. Ai ka arritur formën fizike dhe ka thënë se është gati të udhëheqë një tentim të ri të Cityt për të fituar tre trofetë e mëdhenj.

City e ka arritur këtë vitin e kaluar, ndërsa aktualisht është një pikë prapa Liverpoolit në Premier League. Po ashtu ka fituar 3:1 ndaj Copenhagenit në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Champions.

“Ne po vijmë”, ka thënë Haaland pas ndeshjes në Luton. “Fitnesi im? Po kthehem në nivelin më të mirë. Më në fund po ndihem mirë. Është ndjenjë e shkëlqyer. Kohë të mira po vijnë. Jemi gati për të sulmuar”, ka shtuar norvegjezi.

Ish-sulmuesi i Borussia Dortmundit shihej qartë se është dukur afër nivelit më të lartë. Ai shkatërroi mbrojtjen e Lutonit me kombinim të aftësive fizike, lëvizjeve mjeshtërore dhe përfundimit të pamëshirshëm të aksioneve.

Haaland ka vendosur rekorde të shumta prej se kaloi në City në verën e vitit 2022. Ka shënuar 30 gola më shumë se secili lojtar tjetër i Premier Leagues prej atëherë, ndonëse mungoi gjatë këtë edicion.

“Është paraqitje e klasit botëror nga Haaland, klas botëror”, ka thënë ish-kapiteni i Manchester Unitedit, Roy Keane për ITV.

“Ai është shumë i efektshëm, bën vrapime të duhura, është golashënues natyral, ka qasjen e duhur. Është makinë”.

Haaland është bërë lojtari i parë që ka shënuar pesë apo më shumë gola për një skuadër elitare në Kupën FA që nga George Best në vitin 1970. Haaland i kishte shënuar pesë gola edhe në mars të vitit 2023, kur City u përball në Champions me RB Leipzigun. Në të gjitha garat, Haaland për Manchester Cityn i ka shënuar 79 gola në 83 ndeshje. Mohamed Salah është i dyti për këtë periudhë me 49 gola.

Katër nga pesë golat e Haalandit janë shënuar pas asistimeve të Kevin de Bruynes. Dyshja edhe një herë ka dëshmuar se pse është një prej partneriteteve më të frikshme në botën e futbollit.

“Erling është në zjarr, ndërsa lidhja me Kevinin ishte perfekte”, ka thënë Pep Guardiola. “Kevini ka nevojë për lojtarë si Erlingu, ndërsa Erlingut i duhen lojtarë si Kevini”.

Guardiola ka vazhduar duke thënë se “Erlingut i duhet një lojtar me vizion, kualitet dhe bujari. Kevini është lojtari më pak egoist para portës. Kevinit i duhen lëvizjet e Erlingut. Ne e dimë se sa agresivë janë ata”.

Kevin de Bruyne çmohet edhe nga Haalandi.

“Ai është i jashtëzakonshëm. Ai po e bën atë në të cilën është më i miri. Është kënaqësi të luash me të. Ne e dimë se çka duam nga njëri-tjetri. Përshtatemi shumë mirë. Është lojtar i mençur dhe mua më pëlqen të luaj me të”, ka thënë Haaland.

Ndeshja e radhës për Cityn është derbi me Manchester Unitedin, të dielën në “Etihad”. Me Haalandin dhe De Bruynen në superformë, derbi i madh vështirë se ka mundur të jetë në kohë më të përshtatshme për Cityn.