H. Vehbi Dibra, dijetar dhe personalitet i shquar mysliman shqiptar

Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe me 12.03.1867, në një familje të nderuar, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare, ishte djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuar, Myfti i Dibrës së Madhe.

Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare… Ai zotëronte arabishten dhe osmanishten.

Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit. Ai u frymëzua nga libri “Dhe shkronja” e Sami Frashërit. Qyteti i tij, Dibra e Sipërme, aty nga viti 1900 përfshinte 3 fshatra dhe nuk ishte më pak e dëgjuar se qytetet e tjerë si: Shkupi, Prishtina, Tirana, Korça e Preveza, me një popullsi prej 136.000 banorësh.

 

Cila është veprimtaria e tij për Shqipëri?

Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit…

Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit…

Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës…

Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë…

Kur Ismail Qemali për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte…

Ali Basha-Gjyqi i Nalte i Sheriatit

Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë…

Në vitin 1916, nuk qe e rastit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit…

Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929.

Gjatë kësaj kohe Komuniteti Mysliman mori ngjyrë kombëtare dhe zgjidhi shumë probleme. Sistemoi të gjitha pronat e vakëfeve, i evidentoi këto me dokumentacionin përkatës të përpiktë, normalizoi shërbimin fetar në qytete e fshatra, realizoi një varg reformash centralizuese, sidomos në drejtim të vartësisë së faltoreve dhe kuadrove, ai hodhi edhe idenë për formulimin e statutit.

Kongresi xhemi-ati islamie mbledhur ne tirane me 19231- Salim Juniku (jurist)

Komuniteti që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme “Zani i Naltë”. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Në këtë mënyrë autoriteti i Komunitetit Mysliman Shqiptar u rrit shumë dhe vendosi lidhje me shumë vende islame. Më 1935 H. Vehbi Dibra shkon për herë të dytë në Qabe, ku u afirmua si një dijetar islam i kohës.

Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë…

Albumi i medresese_Page_012

Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.

Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939…

Dibra ishte një nga komentatorët më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Këto ligjërata të mbajtura në xhami janë botuar në revistën “Zani i Naltë”. Ndërsa në vitin 1993 botohen të plota në Harper Woods, të Detroitit, në shtetin Michigan, SHBA nga Imam Vehbi Ismaili, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”

Të gjitha cilësitë e teologut islam përsonifikoheshin te Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentator i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë. Haxhi Vehbiu, me mendimet e tij të larta e progresive, i ftonte njerëzit ta shfrytëzojnë inteligjencien e tyre.

Në komentin që i bënte Haxhi Vehbiu disa citateve Kur’anore thoshte:

“Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi…”

Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Ai do të thoshte në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”. “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.

Viti 1923 Dosja 4

Vendimi i Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar për zgjedhjen e Kryetarit të parë të KMSH-së pas themelimit më 1923, ku me shumicë votash u zgjodh kryemyftiu i Shqipërisë (1912-1923), H. Vehbi Dibra (1867-1937), detyrë që e mbajti deri më 1929.

Si mendimtar dhe bartës i vizionit të islamit ndër shqiptarët, Haxhi Vehbiu kuptoi qartë problemet dhe vështirësitë para të cilave gjendej Komuniteti Mysliman Shqiptar, të cilin ai e kryesonte. Ai kuptoi se islami në Shqipëri duhej t’i hynte një rruge të re për të vazhduar misionin dhe rolin e tij mirëbërës e civilizues në ndërtimin e të ardhmes së atdheut. Ai theksonte se: “Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”. Sipas tij trashëgimia islame e mbetur prej të parëve duhej të bëhej e vazhdueshme në mënyrë që të barazohej me arritjet moderne, “duke i shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona”.

Sa herë që fatet e Shqipërisë ishin në rrezik, ai frymëzohej nga porosia e Muhammedit (a.s.) “Dashuria për atdheun është pjesë e besimit”.

Gjithë vepra e Vehbi Efendiut mbetet si një mal në fushën e diturisë dhe kulturës sonë teologjike. Të paharruara e frymëzuese mbeten gjithmonë para nesh vetitë e tij të larta e njerëzore: thjeshtësia, ndershmëria, fisnikëria shpirtërore, dashuria për të renë e për të rinjtë, të cilëve u jepte zemër që po të kishin një shkëndijë, të ndiznin zjarr. Kemi besim se brezat e ardhshëm, në vazhdimësi të mësimeve të fesë do të studiojnë gjithnjë e më thellë veprën e shquar të H. Vehbi Dibrës me mirënjohje dhe nderim të thellë.

Mbas vitit 1880, monarkitë fqinje, si Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërcënonin ekzistencën e shqiptarëve si komb, për të copëtuar trojet e tij të banuara nga shqiptarët. Pikërisht, Vehbi Dibra, duke qenë i ngarkuar me detyrën e Myftiut të Dibrës, i fliste popullit se nderi i atdheut nuk mbrohet vetëm me lutje por edhe me përpjekje dhe sakrifica.

Vehbi Dibra ishte për bashkimin e kombit shqiptar dhe ishte luftëtar i zjarrtë për hapjen e shkollës shqipe me alfabetin e Manastirit. Dhe pikërisht për këtë ai thirri Kongresin e Dibrës (Korrik 1909). Në këtë Kongres morën pjesë 36 delegatë nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët singa Kosova, Ismail Pashaj, Riza Beu, Rexhep Hoxha Myftiu i Dibrës (vëllai i Vehbi Agollit), nga Elbasani ishin delegatë Aqif Pashë Elbasani, Dervish Beu, Myderriz Ali Efendiu etj. Fillimisht, Kongresi zgjodhi për kryetar të tij, Vehbi Dibrën dhe sekretar: Halit Gjirokastritin dhe Islam Selanikun. Vehbi Dibra mbajti një fjalim të zjarrtë teologjik, e filozofik, falë kulturës së gjerë që kishte dhe si orator i mirëfilltë. Në historinë e Shqipërisë, Vëllimi i II, Tiranë 1984, fillon devijimi, që e konsideron këtë Kongres si xhonturk, gjë që nuk është e vërtetë dhe s’i përgjigjet realitetit! Këtë e bazojmë në diskutimet e delegatëve, si dhe në kujtimet e tyre të lëna me shkrim si, Hafiz Ali Korçës, të Kenan Manastirliut etj. që e hedhin poshtë këtë vlerësim që i bën Historia e Shqipërisë. Po t’i referohemi të vërtetës historike, tonin këtij Kongresi ia dhanë shqiptarët, siç pasqyrohet nga vendimet që mori: -Hapja e shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. -Ndarja e shkollës nga kisha dhe xhamia. -Zhvillimi i ceremonive fetare në gjuhën shqipe. -Njohja e zakoneve nga pushteti në gjuhën shqipe dhe vendosja e rregullit dhe sistemit në ushtri.

Të gjashtë seancat e Kongresit u kthyen në përpjekje të ashpër dhe kjo u duk në fjalimet e Vehbi Dibrës dhe në fjalimet e një pjese nga delegatët si i: Abdyl Ypit, Rexhat Voka, Haxhi Ali Elbasani etj. Pa mbushur akoma dy vjet nga mbyllja e punimeve të Kongresit,

Midis delegatëve për shpalljen e Pavarësisë (28 Nëntor 1912) u nisën në Vlorë, H. Vehbi Dibra bashkë me Hafiz Sherif Langun. I takon Vehbi Efendiut të nxjerrë fetvanë për shqiponjën e zezë dy krenare në mes fushës së kuqe të flamurit. Në kujdesin e Vlorës 28.XI.1912, ndër vendimet e rëndësishme, ishte edhe ai i krijimit të Senatit (Pleqësisë) prej 18 anëtarësh, Kryetar i së cilës u zgjodh Vehbi Dibra, kurse Ismail Qemali u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme.

fetva

Vehbi Dibra për çdo veprim mbështeti Ismail Qemalin. Kur u nis në krye të delegacionit, Ismail Qemali, la në krye të Qeverisë së Përkohshme Vehbi Agollin (Dibrën), i cili nga data 30 mars 1913, për dy muaj rresht kryesoi qeverinë në mbledhjet e saj, madje përballoi lakmitë serbe e malazeze dhe organizoi kryengritje shqiptare në mbrojtje të trojeve, që udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj. dhe se mbajtja e tërësisë tokësore mund të bëhet vetëm me armë dhe se kryengritësit patën mbështetjen e qeverisë së përkohshme dhe veçanërisht të Vehbi Dibrës. Këtu le të ndalemi dhe të përmendim fjalët e N. Cirkoveç: “Kryengritja pa ndonjë (fjalë e pakuptueshme) ka mundur ta përgatisë vetë Vehbi Efendiu, nën urdhrin e të cilit janë të gatshëm të ngrihen të gjithë të uriturit! Ai është dhe Shejhul Islami i Shqipërisë. Kryengritja u përhap nga muaji Shtator 1913, por mjerisht kish mungesa në municione dhe armë. (Fjali e pakuptueshme).”  Serbët ushtronin terror të paparë. Në lumin Drin nuk shikoje gjë, përveç trupa të pajetë fëmijësh, grash e pleqsh si dhe hi.

Edith Durham këtë terror e përcakton në këtë mënyrë: “Fuqitë e Mëdha po kryejnë një veprim kriminal, duke e shtyrë ardhjen e komisionit të caktimit të kufijve.” Nga ana e tij, Vehbi Dibra e çmonte mjaft rendin, mungesa e të cilit – thoshte ai – sjell anarkinë dhe situata të papëlqyera me të cilat Shqipëria është ndeshur mjaft herë. Vlen të theksohet se pas vitit 1925, Vehbi Dibra i përkushtohet tërësisht punëve të Komunitetit Mysliman dhe u shkëput nga veprimtaria e drejtpërdrejtë politike, sido që deri në frymën e fundit ai pati për moto Fe – Atdhe, këtë binom.

Vehbi Dibra qysh në Marsin e vitit 1920 i drejtohej zyrave të myftinive me një qarkore, tash e tutje të mos përdoren vulat dhe aktet zyrtare në turqisht, por të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë, duke futur kështu në institucionet fetare simbolin e flamurit tonë kombëtar.

varrimi Haxhi Vehbi Dibra

Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…[1]

Në fjalën e Imzot Vissarionit, kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur me rastin e ceremonisë mortore të Haxhi Vehbi Dibrës, shihet vlerësimi maksimal që i bën lideri ortodoks një lideri mysliman, duke e thënë edhe vetë, se mund të jetë ndoshta rasti i vetëm dhe unikal në botë, sidomos për atë kohë, kur një kryeprift mban një ligjëratë në varrimin e një kryehoxhe:

“Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po besimin që na kanë lanë të parët, porse kudo, në jetën tonë, jemi vllazën të pandashëm. Unë sot po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana e jonë, në ceremonina të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi Shqiptar duhet të jete krenar që pati në gjirin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdojë të ketë të tillë. Aj po ju len juve, shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij qe po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbiu asht nga ata që i pjellë rrallë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro-fetar qindron ndër duer të mira si të juejat.

Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbesi i pa harruem në Historin e zhvillimit të Sbqipnis së Re edhe në pikpamje tjatër: asht i pari Kryetar i fes Muhamedane në Shqipni i cili tue qenë prej origjinit të Shqipnis s’Epërme, respektohesh dhe simpathizohesh si prej Shqiptarve t’Jugut ma të largtë të Shqipnisë ashtu edhe prej atyne të Veriut ma t’ epërmë si të Krishterë edhe Muhamedanë.

Kohnat, në të cilat jetojë dhe sundojë punët e fes Muhamedane ne Shqipni, ishin kohnat e atyne sëmnndjeve shoqnore që kalojnë të gjithë Kombet kur janë formue rishtas si shtet, dhe personalitetet e ndershëm ose prinjësit e Fes ndodhen në pozitë të vështirë shumë, pse fiset ose Bajraktarët e Kombit janë në përpjekjet e tyne me ba për vehte të parin e fesë për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i pa anshëm, por edhe që t’i bajë të gjithë ta nderojnë e ta duan por edhe të gjithë ta ndigjojnë! Lipset të pranojmë se duhet nji dipllomaci dhe politikë e fortë, nji ideal ose dashuri Atdhetarije e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, me mujtë prinjësi i fesë t’jetë dhe të qëndrojë i patundun. Sa i nalt e sa i math ishte edhe në çdo rast prezantimi miku i Ynë i dashtun Haxhi Vehbi Dibra! Kur ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mes të miqëve dhe misafirve i bante të gjithë pa ndryshim feje ta duan e ta respektojnë; nuk bani kurrë dimagogji as rekllamë, por vetëm detyrën e tij Fetaro-Kombëtare si nji Muhamedan i mirë, por edhe si nji Shqiptarë i mirë, si nji fillosof i zoti i punëve shoqnore; jo se ishte miku i jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe neve e pamë t’arsyeshme me mos u kërsye por me kuxue dbe me çqetsue pak kët mbëledhje të hirëshme me fjalë tona, në kët vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve t’onë vllezër në kombësi, sa do që për të parën herë ndofta jo vetëm në Shqipni por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji Kryeprift Kristijan Orthodhoks në varrin e nji Kryehoxhe Muhamedan Mysliman».[2]

[1] Për më tepër shih: Xhelili, Qazim, “Vehbi Dibra, personalitet dhe veprimtar i shquar I lëvizjes kombëtare”, Tiranë, 1998.

[2] Zani i Naltë, “Flet Imzot Vissarioni”, nr. 4, Prill 1937:109-111.

Më poshtë po japim faksimilet origjinale të revistës “Zani i Naltë”, prill 1937, e cila i ka kushtuar disa shkrime ndërrimit jetë të H. Vehbi Dibrës.

Zani001Zani002Zani003Zani004Zani005Zani006Zani007Zani008Zani009Zani010Zani011Zani012Zani013Zani014

Shkeputur nga revista ZANI I NALTE.