Guvernatori tha se sulmet e vazhdueshme kanë nxjerrë si domosdoshmëri marrjen e disa masave për t’u mbrojtur nga këto sulme. për këtë arsye është bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Thesarit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sulmet kibernetike ndaj sistemit bankar janë intensifikuar.
Gjatë deklarimit para Komisionit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja ai shpjegoi natyrën e këtyre sulmeve dhe nga vijnë ato.
“Sulmet janë të natyrave të ndryshme. Sulme që kanë të bëjnë me marrjen e të dhënave dhe me hakimin e llogarive bankare. Nuk mund të përcaktohet kollaj nga vijnë. Një ndër rastet që u konfirmua, u gjet që vinte nga Irani. Ka qenë një sulm i fortë kibernetik ndaj një banke që nuk ka cenuar llogaritë, por të dhënat. Është menaxhuar, por kemi nxjerrë mësime dhe na ka bërë të jemi në gatishmëri e të organizojmë më shumë punën kundër sulmeve kibernetike”, tha Sejko.
Guvernatori tha se sulmet e vazhdueshme kanë nxjerrë si domosdoshmëri marrjen e disa masave për t’u mbrojtur nga këto sulme. për këtë arsye është bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Thesarit.
“Kemi marrë masa në vijimësi për mbrojtjen e sistemeve tona nga këto sulme, si në lidhje me sistemet informatike edhe të qarkullimit të pagesave. Me asistencën e Departamentit amerikan të Thesarit kemi përgatitur një rregullore për mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike. Rregullorja do të miratohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës”, theksoi Sejko gjatë raportimit para komisionit.
Ai tha se rregullorja parashikon marrjen e masave të organizuara që të jenë standarde si për Bankën Qendrore edhe për ato të nivelit të dytë. Sejko gjithashtu theksoi se në 11 bankat janë bërë inspektime për sistemin e mbrojtjes dhe është bërë një vlerësim i masave që kanë ndërmarrë.
Më 2022, autoritetet shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare kishin akuzuar Iranin se qëndronte prapa sulmeve kibernetike të kryera në korrik ndaj infrastrukturës kritike qeveritare të Shqipërisë. Tirana më pas ndërpreu raportet diplomatike me Teheranin dhe dëboi diplomatët iranianë nga Shiqipëria.