Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nënvizoi “rolin shumë të rëndësishëm” të Türkiyes në nxitjen e dialogut inkluziv në Siri, transmeton Anadolu.
“Unë besoj se Türkiye, e cila ka qenë mbështetëse shumë e qartë e popullit sirian dhe rezistencës siriane në Idlib, ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në bindjen e aktorëve kryesorë sirianë”, tha Guterres në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në New York.
Ai theksoi nevojën për të pasur “një proces inkluziv të dialogut”, duke shtuar: “Ne duhet të krijojmë kushtet që mundësojnë një armëpushim të përhershëm”.
Guterres theksoi më tej nevojën për të parandaluar praninë e grupit terrorist DEASH dhe aktivitetet e tij terroriste në Siri.
I pyetur për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, Guterres tha: “Nuk duhet të harrojmë se sanksionet u zbatuan ndaj regjimit të Asadit. Situata ka ndryshuar”.
“Natyrisht, jemi në një proces tranzicioni dhe në një proces të tillë, mendoj se ka punë për të bërë nga të dyja palët”, tha ai.
Bashar Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.