Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi sulmet e Izraelit dhe Jemenit që rrisin tensionet në rajon, transmeton Anadolu.
Zëvendës zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephanie Tremblay ndau deklaratën e Guterresit në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Jemenit në ditët e fundit.
Në deklaratën me shkrim thuhet se Guterres i ka konsideruar “shqetësuese sulmet ajrore të Izraelit, veçanërisht në Aeroportin Ndërkombëtar Sana, portet e Detit të Kuq dhe centralet elektrike në Jemen”.
“Një nga anëtarët e ekuipazhit të Shërbimit Ajror Humanitar të OKB-së u plagos kur u godit aeroporti. Një delegacion i nivelit të lartë të OKB-së i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus ishte gjithashtu në aeroport kur ndodhën sulmet”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se si pasojë e sulmeve të fundit të Izraelit, të paktën 3 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe se këto sulme kanë ardhur pas sulmeve të Huthive në Detin e Kuq për një vit të cilat me veprimet e tyre kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe lirinë e lundrimit.
Guterres tha se është “thellësisht i shqetësuar” për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve në rajon. Ai potencoi nevojën që palët përkatëse “të ndalojnë të gjitha veprimet ushtarake dhe të tregojnë përmbajtje maksimale”.
Sekretari i Përgjithshëm përsëriti thirrjen e tij për lirimin “e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të të gjithë stafit të OKB-së dhe personelit tjetër të arrestuar arbitrarisht nga Huthit.