Guatemalë, vullkani Fuego shkakton 25 të vdekur

Të paktën 25 persona e kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë dëmtuar si pasojë e shpërthimit të vullkanit Fuego në Guatemalë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi në BBC, vullkani Fuego, 40 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Guatemala City, ka hedhur shkëmbinj, tym dhe hi vullkanik.

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave përmes një deklarate bëri të ditur se një rrjedhë llave ka shkatërruar shtëpitë në fshatin El Rodeo dhe ka djegur njerëzit brenda.

Të paktën 25 persona e kanë humbur jetën si pasojë e fatkeqësisë, ndërsa në mesin e të pësuarve njoftohet se ndodhen edhe fëmijë dhe punonjës të emergjencës.

Presidenti i shtetit, Jimmy Morales, tha se mendohet se shkatërrime kanë ndodhur në të paktën tre rajone, duke njoftuar se në zbatim ka filluar plani kombëtar për gjendje emergjente.

Autoritetet i bënë thirrje popullatës të mbajnë maska për shkak të hirit vullkanik.

Ndërkohë, sipas një raportimi në CNN, Agjencia e Katastrofave Natyrore në Guatemalë (CONRED) ka konfirmuar numrin e të vdekurve dhe u ka bërë thirrje banorëve të vendeve afër vullkanit ta evakuojnë rajonin.

Drejtori i CONRED, Sergio Garcia Cabanas, theksoi se gjithsej 1,7 milion njerëz janë ndikuar nga shpërthimi i vullkanit.

Cabanas njoftoi se 3.100 shtëpi janë evakuuar dhe se aktivitetet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar tutje.