Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka folur për Lionel Messin. Ai ka thënë se City nuk është i interesuar për Messin, i cili aktualisht është lojtar i lirë. Skuadra e Barcelonës të enjten mbrëma, bëri të ditur se Messi është larguar nga klubi.
“Ne e transferuam Jack Grealishin. Ai do të bartë fanellën me numrin dhjetë sepse ishim të bindur me Grealishin në njërën anë, kurse në tjetrën ishim të bindur se Messi do të vazhdonte te Barcelona. Kështu që, Messi nuk është në mendjen tonë”, ka thënë Guardiola. “Isha i befasuar si të gjithë me largimin e tij. Presidenti i Barcelonës ishte i qartë. Nuk kam folur me lojtarin apo presidentin, kështu që nuk e di se çfarë ka ndodhur. Mirëpo, si përkrahës i klubit, do të doja që ai ta mbyllte karrierën te Barcelona. Mirëpo, klubi duhet të jetë i qëndrueshëm financiarisht dhe ajo që i ndodhi vitin e shkuar nuk ishte mirë”.
Guardiola ka thënë se Messi është lojtar fantastik dhe se e ka ndihmuar shumë në karrierën e tij si trajner. “Si tifoz, mund të them se Messi është lojtari më i jashtëzakonshëm që e kam parë në jetën time. Ai jo vetëm që ka ndihmuar Barcelonën të fitoj trofe, por më ka ndihmuar edhe mua personalisht të shkoj te Bayerni dhe pastaj në Angli”, tha Guardiola. /koha