Grupi Huthi shënjestron Izraelin me raketa

Grupi Huthi në Jemen shënjestroi me dy raketa balistike aeroportin ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel Aviv të Izraelit dhe një central elektrik në jug të Kudsit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak i grupit jemenas Huthi, Yahya Saree në një deklaratë tha se “Forcat e Armatosura të Jemenit (të lidhura me Huthit) kryen dy operacione të kualifikuara ushtarake me raketa”.

“Në operacionin e parë, u shënjestrua me dy raketa balistike hipersonike aeroporti ‘Ben Gurion’ i Izraelit në rajonin Jaffa të Palestinës së pushtuar”, deklaroi Saree i cili shoti se “në operacionin e dytë, ata shënjestruan me një raketë balistike centralin elektrik në jug të Kudsit të pushtuar”.

Ai vuri në dukje se “në të dy operacionet raketat goditën me sukses objektivat”.

Saree tha se sulmi përkoi me “shënjestrimin me shumë mjete ajrore pa pilot dhe raketa të aeroplanmbajtëses amerikane USS Harry Truman, ndërkohë që forcat amerikane po përgatiteshin të fillonin sulm të madh ajror kundër vendit të tyre”.

“Operacioni ishte i suksesshëm dhe sulmi ajror i SHBA-së u prish”, tha Saree duke shtuar se Huthit kanë rritur përgatitjet e luftës të njësive të tyre ushtarake për t’iu kundërvënë të gjitha llojeve të kërcënimeve të lidhura me Izraelin dhe SHBA-në që synojnë të pengojnë Jemenin të përmbushë obligimin fetar, moral dhe atë humanitar ndaj popullit palestinez”.

Gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” raportoi se fluturimet në aeroportin ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel Aviv u ndaluan përkohësisht për shkak të raketës së lëshuar nga Jemeni.