Grupi Huthi i Jemenit rrëzon një dron amerikan mes përshkallëzimit të tensioneve

Grupi jemenas Huthi pretendon se ka rrëzuar një dron amerikan në verilindje të Jemenit, mes një shkëmbimi sulmesh me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree tha se një dron amerikan “MQ-9” u kap “gjatë kryerjes së misioneve armiqësore” mbi provincën Al-Jawf në verilindje të Jemenit. Ai tha se droni u rrëzua nga një “raketë tokësore-ajrore e prodhuar në vend”.

Saree tha se droni i rrëzuar ishte i treti që u kap në dhjetë ditë dhe i 18-ti që kur grupi filloi operacionet ushtarake në mbështetje të Gazës pas luftës gjenocidale të Izraelit në enklavës palestineze në tetor të vitit 2023.

Deri më tani nuk ka patur ndonjë reagim nga SHBA-ja lidhur me pretendimin e grupit Huthi.

Saree tha se në orët e fundit sulmet ajrore amerikane vazhduan në disa zona në të gjithë Jemenin, duke shkaktuar edhe viktima civile.

Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Huthit tha se tetë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore amerikane në rrethin Al-Hawak të provincës Al-Hudaydah.

Televizioni Al-Masirah, i drejtuar nga Huthit, po ashtu raportoi për sulme të SHBA-së që shënjestruan rrjetet e telekomunikacionit në provincat Ibb dhe Amran në veri të Jemenit.

Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, sulmet ajrore amerikane në Jemen që nga 15 marsi kanë vrarë të paktën 78 civilë dhe kanë plagosur 196 të tjerë.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tha se ka urdhëruar “veprime ushtarake vendimtare dhe të fuqishme” kundër grupit Huthi dhe më vonë kërcënoi se do t’i “asgjësojë plotësisht ata”.

Që nga nëntori i vitit 2023, Huthit në solidaritet me palestinezët në Gaza, ku Izraeli ka vrarë të paktën 50.800 palestinezë, ka shënjestruar anijet që kalojnë nëpër Detin e Kuq dhe Detin Arabik, Ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit.

Grupi jemenas ndaloi sulmet pas armëpushimit në Gaza që u shpall në muajin janar midis Izraelit dhe Hamasit, por i rifilloi ato pas rifillimit të sulmeve ajrore izraelite në Gaza muajin e kaluar.