Grupi Houthi pretendoi sot se ka rrëzuar një dron amerikan në Jemenin qendror, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi ushtarak Yahya Saree tha se një dron amerikan “MQ-9” u interceptua “ndërsa po kryente misione armiqësore” mbi provincën Marib.
Ai tha se droni u rrëzua nga “një raketë tokë-ajër e prodhuar në vend”.
Zëdhënësi tha se droni ishte i dyti që u rrëzua në 72 orë dhe i 14-ti që nga viti i kaluar.
Të shtunën, grupi Houthi tha se rrëzoi një dron amerikan “MQ-9” mbi provincën Al-Bayda në Jemenin qendror.
Houthit kanë vënë në shënjestër Izraelin, si dhe anijet të destinuara drejt apo të nisura nga Izraeli në Detin e Kuq, në solidaritet me popullin palestinez në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 45.300 njerëz që nga tetori i vitit 2023.
SHBA-ja dhe Britania kanë bombarduar gjithashtu objektiva të grupit Houthi në Jemen.