Grupi Houthi i Jemenit shënjestron një anije amerikane dhe shkatërrues në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit

Grupi Houthi i Jemenit tha sot se ka përdorur raketa detare dhe dronë për të shënjestruar një anije ushtarake amerikane dhe disa shkatërrues (destroyer) në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit dhe se i kanë “arritur me sukses” objektivat e tyre në “operacione” të veçanta, transmeton Anadolu.

“Forcat detare dhe ajrore të Forcave të Armatosura të Jemenit kryen dy operacione specifike ushtarake”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Houthive, Yahya Saree.

“Operacioni i parë kishte në shënjestër anijen amerikane ‘Propel Fortune’ në Gjirin e Adenit me disa raketa të përshtatshme detare, ndërsa operacioni i dytë kishte në shënjestër shumë shkatërrues luftarakë amerikanë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit me 37 dronë, dhe të dy operacionet arritën qëllimet e tyre me sukses”, thuhet në deklaratë.

Ky ishte sulmi më i madh i grupit jemenas ndaj anijeve izraelite, amerikane dhe britanike që kur filloi sulmet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, sipas Anadolu.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi rrëzimin e 15 dronëve të Houthive në Jemen pas “sulmit në shkallë të gjerë” të këtij të fundit me mjet ajror pa pilot (UAV) në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

“Midis orës 4:00 të mëngjesit dhe 6:30 të mëngjesit (koha e Sanas), terroristët Houthi të mbështetur nga Irani kryen një sulm në shkallë të gjerë me mjet ajror pa ekuipazh në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit”, tha CENTCOM në një deklaratë.

“CENTCOM dhe forcat e koalicionit identifikuan UAV-të me sulm njëkahësh dhe përcaktuan se ato paraqisnin kërcënim të menjëhershëm për anijet tregtare, marinën e SHBA-së dhe anijet e koalicionit në rajon”, shtoi Komanda.

“Anijet e marinës dhe avionët e SHBA-së së bashku me anije dhe avionë të shumtë të koalicionit rrëzuan 15 dronë me sulm njëkahësh”, thuhet më tej.

Më herët sot, CENTCOM njoftoi një sulm ndaj dy raketave kundër anijeve në zonat e kontrolluara nga Houthit në Jemen të premten.

Tensionet janë përshkallëzuar në Detin e Kuq mes sulmeve të Houthive ndaj anijeve tregtare të dyshuara se kanë lidhje me Izraelin.

Houthit thonë se sulmet e tyre synojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmin e tij vdekjeprurës në Rripin e Gazës, i cili ka vrarë më shumë se 30.900 njerëz dhe plagosur mbi 72.500 të tjerë që nga një ofensivë ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

SHBA-ja dhe Britania nisën sulme ajrore që nga 12 janari kundër objektivave të Houthive në Jemen si hakmarrje për sulmet e tyre, të cilat kanë krijuar frikën e një periudhe të re inflacioni dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.