Fraksionet palestineze bënë thirrje për përshkallëzimin e operacioneve të rezistencës në Bregun Perëndimor të pushtuar, në shenjë hakmarrjeje për luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Tre kolonë të paligjshëm izraelitë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën sot herët në një sulm me armë zjarri pranë vendbanimit Kedumim në pjesën veriore të Bregun Perëndimor.
Në një deklaratë, Hamasi e përshëndeti sulmin si “një përgjigje heroike ndaj krimeve të vazhdueshme dhe luftës shfarosëse të kryer nga okupuesi (izraelit) kundër popullit tonë në Gaza, planet e zhvendosjes në Bregun Perëndimor dhe agresioni i kolonëve në xhaminë Al-Aksa dhe vendet e shenjta”.
“Ky operacion është mesazh për qeverinë ekstremiste izraelite dhe ministrat e saj se ekziston një komb i lirë dhe rebel që nuk do të braktisë të drejtat e tij dhe se rezistenca do të vazhdojë derisa pushtimi të hiqet nga të gjitha tokat tona”, shtoi ai.
Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) e quajti sulmin një “mesazh të fuqishëm” për pushtuesin izraelit.
Ai bëri thirrje për përshkallëzimin e operacioneve të rezistencës në Bregun Perëndimor “për të vënë në huti llogaritjet e okupuesit dhe për të dobësuar sistemin e tij të sigurisë”.
Komitetet e Rezistencës Popullore e quajtën sulmin “një përgjigje të natyrshme” ndaj luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza dhe planeve të judaizimit dhe aneksimit në Bregun Perëndimor.
Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 45.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.
Të paktën 838 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 6.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në enklavë.