Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Grupet palestineze në Gaza: Aktivitetet popullore do të vazhdojnë deri në përfundimin...

Grupet palestineze në Gaza: Aktivitetet popullore do të vazhdojnë deri në përfundimin e bllokadës

Grupet palestineze në Gaza njoftuan se aktivitetet popullore do të vazhdojnë deri kur të përfundojë bllokada dhe pushtimi i Izraelit në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe në qytetin e Kudsit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i grupeve palestineze në Rripin e Gazës, Mahmud Halef në konferencën për media në afërsi të kufirit lindor të Rripit të Gazës tha se aktivitetet popullore do të vazhdojnë pa hezitim dhe pa bërë asnjë hap prapa, derisa forcat pushtuese të tërhiqen nga Kudsi dhe Bregu Perëndimor, të heqin bllokadën në Gaza si dhe deri kur të përfundojë pengesën për punimet e rindërtimit dhe të hapjes së rajonit në botë.

Duke bërë thirrje për pjesëmarrje në aktivitetet në fjalë, Halef nuk dha informacione lidhur me natyrën e aktiviteteve.

Ai nënvizoi se politika për izolimin e Gazës nga Palestina do të dështojë dhe se grupet palestineze nuk e pranojnë bllokadën e zbatuar në Rripin e Gazës.

Përfaqësuesi kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar dhe ndërmjetësuesit që “të tregojnë përpjekje për përfundimin e krizës humanitare në Gaza”.

Bëhet e ditur se të shtunën 41 palestinezë, përfshirë 22 fëmijë u plagosën në ndërhyrjen me armë zjarri dhe bomba gazi që ushtarët izraelitë kryen ndaj palestinezëve që protestuan në kufirin e Rripit të Gazës nën bllokadë me rastin e 52 vjetorit të djegies së Xhamisë Aksa në vitin 1969 nga një hebre fanatik.

Dennis Michael Rohan, hebreu fanatik me origjinë australiane, më 21 gusht 1969 hyri në Xhaminë Aksa dhe dogji mihrabin e xhamisë së Kibles dhe mimberin 1000 vjeçar Salahaddin. /aa

Exit mobile version