Grupet palestineze kritikojnë takimin e presidentit Abbas me ministrin izraelit të Mbrojtjes

Fraksionet palestineze të rezistencës dënuan takimin e fundit midis Presidentit palestinez, Mahmoud Abbas dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, raporton Anadolu Agency (AA).

Abbas të dielën zhvilloi bisedime me Gantz në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, në takimin e parë zyrtar midis Autoritetit Palestinez dhe qeverisë izraelite që nga viti 2014.

Takime të tilla “do të thellojnë ndarjen palestineze dhe do të komplikojnë situatën palestineze”, tha zëdhënësi i Hamas-it, Hazem Qassem, në një deklaratë.

Ai tha se takimi i së dielës “ishte një vazhdim i mashtrimit të Autoritetit Palestinez për mundësinë për të arritur diçka për popullin tonë përmes rrugës së dështuar të zgjidhjes”.

Zëdhënësi i Xhihadit Islam, Tareq Selmi, e përshkroi takimin Abbas-Gantz si një “goditje”.

Takimi “u zhvillua në një kohë kur forcat izraelite po vazhdojnë sulmet e tyre në Gaza dhe po mbajnë bllokadën e saj shumëvjeçare në territor”, tha ai.

“Gjaku i fëmijëve (palestinezë) të vrarë nga ushtria pushtuese (izraelite) me urdhër të Gantz është në tokë dhe ende nuk është tharë”, tha Selmi. /aa