Grupet e armatosura siriane që kundërshtojnë regjimin sirian të Bashar al-Assadit kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të qendrës së qytetit Alepo, transmeton Anadolu.
Grupet që dje hyrën në qendër të qytetit Alepo, morën kontrollin e shumë lagjeve në zonë.
Duke arritur në sheshin Sadallah al-Jabiri, një lokacion qendror në qytet, grupet përparuan më tej duke marrë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të Alepos.
Për një periudhë të shkurtër, forcat opozitare gjithashtu morën në kontroll zyrën e guvernatorit, selinë e policisë dhe kalanë e Alepos, e cila është një pikë referimi simbolike e qytetit.
Pas marrjes nën kontroll të aeroportit ushtarak Abu al-Duhur, grupet e armatosura konfiskuan municione dhe automjete ushtarake të lëna pas nga forcat e regjimit.
Grupet vendosën një shtetrrethim gjatë natës në qytet dhe kryen spastrime të sigurisë në lagjet nën kontrollin e tyre.
Në orët e mbrëmjes ata hynë në godinat e përdorura nga regjimi si qendra paraburgimi, duke liruar dhjetëra persona, mes të cilëve edhe të burgosur politik.
Grupet kundër regjimit përparojnë me shpejtësi në lindje dhe juglindje të Idlibit
Grupet e armatosura që kundërshtojnë regjimin sirian të Assadit kanë bërë përparime të shpejta edhe në rajonet lindore dhe juglindore të Idlibit, duke marrë nën kontroll më shumë se 50 fshatra nga forcat e regjimit.
Që nga e mërkura, grupet e armatosura që janë përleshur me forcat e regjimit në Sirinë veriore, kanë përparuar me shpejtësi edhe në zonat rurale të provincës Idlib.
Deri në mëngjesin e sotëm, grupet e armatosura kanë marrë nën kontroll më shumë se 50 fshatra në pjesët lindore dhe juglindore të Idlibit, të cilat më parë ishin nën kontrollin e regjimit të Assadit.
Pavarësisht marrëveshjes së “zonave të de-përshkallëzimit”, të arritur gjatë bisedimeve në Astana, regjimi sirian në vitin 2019 i pushtoi këto fshatra pas sulmeve intensive.
Përleshjet filluan të mërkurën në zonën rurale perëndimore të Alepos.
Më 27-28 nëntor, grupet kundër regjimit përparuan me shpejtësi nga zona rurale perëndimore e Alepos drejt qendrës dhe në ditën e dytë të përleshjeve morën nën kontroll zona të shumta në fshatrat e Idlibit.
Dje, grupet tashmë kishin hyrë në qendër të qytetit të Alepos dhe deri në mbrëmje arritën në rrethet qendrore.