Asma Assad, bashkëshortja me origjinë britanike e udhëheqësit të rrëzuar sirian Bashar Assad, nuk mund të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pasi pasaporta e saj britanike ka skaduar, raportoi Sunday Times.
Asma, e cila dyshohet se vuan nga leuçemia në gjendje kritike, nuk ka më qasje në Londër, qytetin e saj të lindjes. Më herët, Moska konfirmoi se familja Assad ka marrë azil në Rusi pas largimit nga Damasku, ndërsa vendndodhja e saktë e tyre mbetet e panjohur.
Raporti thekson gjithashtu se babai i saj, Fawaz Akhras, një kardiolog i njohur, ka lënë detyrën në një klinikë në Harley Street, Londër, për t’u kujdesur për të bijën në Moskë.
Qeveria britanike ka bërë të qartë se Asma Assad nuk është e mirëpritur në vend. Pasaportës së saj, e cila skadoi në shtator 2020, nuk iu dha rinovimi, ndërsa ministrja e Brendshme Yvette Cooper ka refuzuar hyrjen e saj në Mbretërinë e Bashkuar për arsye shëndetësore.
Asma është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE që prej vitit 2012, duke përfshirë ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit.
Ndërkohë, Bashar Assad dhe familja e tij u larguan nga Siria më 8 dhjetor, pasi grupet anti-regjim morën Damaskun në një ofensivë të shpejtë, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath që kishte zgjatur që nga viti 1963.