Gruaja palestineze e liruar nga Izraeli: Nuk më lejuan të mbaja shaminë

Bushra al-Tawil

Bushra al-Tawil, një nga 90 palestinezet që u liruan në kuadër të shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit, ka shpjeguar se ajo nuk është lejuar të mbante mbulesën e saj gjatë bastisjes dhe ndalimit nga ushtarët izraelitë duke u mbajtur pa shami për 14 orë, raporton Anadolu.

Tawil, vajza e liderit të Hamasit, Jamal al-Tawil, pas pothuajse 10 muajsh u kthye në shtëpinë e saj në qytetin Al-Birah në Bregun Perëndimor të pushtuar pas lirimit nga burgu Damon në Izraelin verior.

Palestinezja i shpjegoi gazetarit të Anadolut për ato që përjetoi në burg dhe për ditën që u ndalua nga ushtarët izraelite, e cila në atë kohë ishte në shtëpinë e shoqes së saj.

“Forcat izraelite bastisën shtëpinë e shoqes sime. Ata plaçkitën shtëpinë dhe shkatërruan sendet e saj. Nuk më lejuan të mbaj shaminë time. Më nxorën me forcë nga shtëpia dhe më mbajtën pa shami për 14 orë. Mund të them se ishte situata më e vështirë me të cilën jam përballur në jetë. Ishin momentet më të vështira që kam përjetuar ndonjëherë”, shprehet Tawil.

Gruaja palestineze shprehur se oficeri i inteligjencës izraelite u tall me të duke i thënë, “Do të përpiqesh me vite për ta riparuar atë shtëpi, do t’i mbetesh borxh shoqes tënde për gjithë jetën”.

“Edhe unë gjithashtu shpreha se sa i fortë është solidariteti midis palestinezëve. Ne jemi në luftë, të gjithë po paguajnë një çmim në një farë mënyre. Në vendin tonë askush nuk i detyrohet askujt asgjë. Shoqja ime nuk do të kërkojë asgjë nga unë”, tregoi Tawil.

Tawil tha se u ndalua pa akuzë rreth 10 muaj më parë me këtë pretekst, pavarësisht se nuk kishte shpërndarë asgjë në llogaritë e saj në rrjetet sociale. Ajo më tej theksoi se pas procesit të paraburgimit u dërgua në burg në kuadër të “arrestit administrativ”, i cili arreston palestinezët në territoret e pushtuara pa u akuzuar për ndonjë krim.

Me praktikën e “arrestit administrativ” të Izraelit, palestinezët mund të burgosen deri në gjashtë muaj pa mësuar akuzat kundër tyre dhe pa të drejtë për t’u mbrojtur. Pas kësaj periudhe, periudha e paraburgimit të një palestinezi që dërgohet në një gjykatë ushtarake, por nuk ka dijeni për akuzat, mund të zgjatet disa herë deri në pesë vjet.

– “Pas 7 tetorit, Izraeli arrestoi të gjithë ata që kundërshtonin gjenocidin”

Duke deklaruar se është përballur me presion dhe torturë nga forcat izraelite, Tawil theksoi se urrejtja dhe hakmarrja ndaj palestinezëve dhe shkeljet në burgje u shtuan edhe më shumë pasi ushtria izraelite nisi sulmet e saj në Gaza më 7 tetor të vitit 2023.

“Izraeli nisi një fushatë kaq të ashpër pas 7 tetorit, saqë u arrestuan gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe ish-të burgosur. Edhe ata që luteshin vetëm për gratë, fëmijët dhe të moshuarit në Gaza, që shprehën pikëpamjet e tyre dhe kundërshtuan gjenocidin, ai i futi brenda (arrestoi) të gjithë”, tha Tawil.

– Supa për të burgosurit ishte vetëm ujë me insekte që dilnin prej saj”

Gruaja palestineze tregoi se kanë kaluar shumë ditë të vështira në burg, u janë hequr edhe të drejtat më elementare dhe ushqimi që u është dhënë ishte jashtëzakonisht i pashëndetshëm dhe i keq.

“Ushqimi ishte aq i keq sa nuk mund të vihej para një njeriu. Ne hanim dhe pinim vetëm për të mbijetuar. Supa ishte vetëm ujë me insekte që dilnin prej saj. Të burgosurit humbën peshë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Kishte gjithashtu një mungesë serioze të ilaçeve”, theksoi Tawil.

– “Me kuptimin e plotë të fjalës, burgjet izraelite ishin një varrezë për të gjallët”

Më tej, Tawil njoftoi se më parë ka hyrë dhe ka dalë shumë herë nga burgjet izraelite, por tha se herën e fundit ishte ndryshe.

“Këtë herë kushtet brenda ishin më të ashpra dhe më brutale se kurrë. Jam goditur në mënyrë shumë të rëndë. Nuk e mendoja se do t’i nënshtrohesha një torture të tillë. I jam nënshtruar dhunës dhe torturave më të mëdha seç kam pritur ndonjëherë. Ne ishim plotësisht të pa informuar për ndodhitë jashtë. Nuk kishim as televizor as radio. Na u penguan vizitat. Na morën çdo gjë, madje edhe stilolapsat dhe librat. Burgjet me kuptimin e plotë të fjalës ishin një varrezë që qëndronin të gjallët”, shpjegon Tawil.

– Marrëveshja për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve

Katari, një nga vendet ndërmjetësuese, më 15 janar njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.

Marrëveshja hyri në fuqi të dielën, më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga tre faza do të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1.900 të burgosur palestinezë.

Më 19 janar, Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasi, në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes i dorëzuan ekipit të Kryqit të Kuq tre gra izraelite, ndërsa Izraeli liroi 90 palestineze të mbajtur në burgun ushtarak izraelit Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar.